Ambasada kosovare në Itali ripërsërit se nuk ka asnjë kosovar të prekur nga koronavirusi deri më tani

Ambasada e Kosovës në Itali, ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë kosovar të prekur nga koronavirusi.

Koronavirusi është përhapur me një shpejtësi të jashtëzakonshme në Itali, ku vetëm gjatë ditës së djeshme kanë vdekur tre persona ndërkaq deri më tani janë të prekur 152 persona nga ky virus.

Ambasada e Kosovës në Itali, ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë kosovar të prekur nga ky virus, shkruan lajmi.net.

Kjo ambasadë përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se janë në koordinim me organet italiane dhe janë në gjendje gatishmërie për të gjithë kosovarët që jetojnë në Itali.

Po ashtu, ambasada kosovare në shtetin italian ka vënë në dispozicion edhe numrat emergjent.

Njoftimi i plotë i ambasadës pa ndërhyrje:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano janë duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e Koronavirus – Covid 19 në Itali.

Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova.

U bëjmë thirrje shtetasve tanë me banim/qendrim në Itali, se në rast nevoje mund të na kontaktojnë në çdo moment në numrat e emergjencës 24/7.

Në koordinim me organet dhe institucionet tona dhe ato vendore italiane, mbetemi në gatishmëri të plotë të shtetasve tanë.

Për çdo eventualitet numri i emergjencave i ARKS në Romë: +393274526991;

dhe ai i Konsullatës së Përgjithshme në Milano: +393472127662.