Ambasada e Amerikës në Kosovë është shprehur e pakënaqur që Gjykata Supreme riktheu në garë kandidatët që i përjashtoi KQZ-ja.
Në vendimin e Supremes thuhet se KQZ obligohet të bëjë certifikimin e tre kandidatëve, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.“Vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) zbaton urdhrat e Gjykatës Supreme për ricertifikimin e kandidatëve të diskualifikuar më parë, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet. Kuptojmë vendimin e KQZ-së për t’i kthyer të 89 kandidatët e diskualifikuar si kundërpërgjigje vendimit të Gjykatës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.
Megjithatë, kjo ambasadë thotë se u vjen keq që rezultati i këtij vendimi zhbën punën e shkëlqyeshme të KQZ-së dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të zbatuar ndalesën e paraparë me Ligjin për Zgjedhje për moslejimin e kandidimit të kandidatëve të dënuar për vepër penale.“Vazhdojmë të mbështesim frymën dhe qëllimin e asaj dispozite të Ligjit për Zgjedhje. Ftojmë institucionet përkatëse shtetërore që të korrigjojnë çdo paqartësi ligjore lidhur më këtë dispozitë para ciklit të ardhshëm zgjedhor në Kosovë. Besojmë që votuesit kërkojnë kandidatë të panjollosur nga krimi”, thuhet në deklaratën e tyre.