Ballina Uncategorized Ambasada amerikane i dorëzon Qeverisë së Kosovës raportin e studimit për Liqenin...

Ambasada amerikane i dorëzon Qeverisë së Kosovës raportin e studimit për Liqenin e Ujmanit i paraparë në Marrëveshjen e Washingtonit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë njofton se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.

Ky studim ishte paraparë të behët në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington.

“Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Beogradit sot i kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë raportin për Liqenin e Ujmanit, kështu duke përmbushur një nga zotimet Marrëveshjes së Washingtonit të 4 shtatorit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës, përcjell Telegrafi.

Më 4 shtator 2020, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për normalizim ekonomik.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në dokument.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte miratuar planin 16-pikësh për zbatimin e kësaj Marrëveshje.

Pika e shtatë e këtij plani është që të dy palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësi të tjera të Qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.

“Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së SHBA-ve duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, duke u fokusuar në: përcaktimi i alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit; eksplorimi i mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm); dhe Sigurimi që secili rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit”, thuhej në plan.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga SHBA-ja.

Exit mobile version