Altun: Netanyahu e sulmon Turqinë për t’i mbuluar krimet e tij

Netanyahu është vënë përsëri në sulm ndaj Turqisë për të mbuluar krimet e tij, shkruan në platformën X kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, Fahrettin Altun.

“Nuk ka asnjë sasi të gënjeshtrës, dezinformimit dhe mashtrimit që mund të fshehë masakrat historike që ai ka kryer kundër civilëve të pafajshëm. Historia e ka gjykuar tashmë si liderin më katastrofik për këtë rajon si dhe për vendin e tij”, shkruan Altun.

Mes të tjerash, Altun shprehet se ka liderë që sakrifikojnë gjithçka, përfshirë jetën e tyre për vendin e tyre dhe për kauzën e paqes dhe prosperitetit.

“Ata do të punojnë ditë e natë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të tyre dhe për të kërkuar marrëdhënie të mira me fqinjët e tyre. Ata do të mbrojnë të vërtetën dhe drejtësinë në çështjet globale, sepse e njohin barrën historike mbi supet e tyre. Presidenti ynë Erdoğan është një udhëheqës i tillë që ne jemi krenarë që e kemi si qytetarë të Turqisë”, thekson Altun.

Nga ana tjetër, ai thotë se ka nga ata që sakrifikojnë gjithçka, duke përfshirë vlerat universale njerëzore dhe mirësjelljen për qëllimet e tyre egoiste politike.

“Ata do të punojnë ditë e natë për të krijuar plane për të shkatërruar jetën e atyre që jetojnë nën pushtimin e tyre. Ata vazhdimisht do të shkaktojnë destabilitet, konflikt dhe luftë në lagjen e tyre. Ata do të përjetësojnë padrejtësinë sepse nuk kujdesen për mirëqenien e dikujt tjetër, por për mirëqenien e tyre. Netanyahu është një lider i tillë që është turp për vendin e tij”, shton Altun.

Pavarësisht se sa mbështetje do të marrë kabineti vrastar i luftës i Netanyahut nga fuqitë globale, sipas Altun ai do të mbetet në histori si një udhëheqës krejtësisht i dështuar që ka shkatërruar shpresat për paqe dhe stabilitet në këtë rajon.

Ai potencon se Netanyahu nuk ka shumë politika dhe manovra që ai mund të bëjë për ta ndryshuar këtë fakt.

“Palestinezët kanë vuajtur kaq shumë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë si rezultat i spastrimit etnik që po ndjek Netanyahu dhe qeveria e tij. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë politikat e tij me gjithë fuqinë tonë. Ne nuk do të trembemi nga gënjeshtrat, mashtrimet, akuzat e rreme dhe përpjekjet e tij për të ndryshuar temën”, nënvizoi Altun.

Turqia, siç shprehet Altun, do të qëndrojë me vendosmëri për të vërtetën, drejtësinë dhe dekolonizimin në Palestinë nën udhëheqjen e Presidentit Erdoğan.

“Ne do të punojmë drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe përfundimtare, e cila besojmë se është një zgjidhje me dy shtete”, shkruan Altun.

Mes të tjerash, e përsëriti qëndrimin e Ankarasë zyrtare se do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet të plotë me vëllezërit dhe motrat palestineze.