Ballina Artikuj Alternativa morale

Alternativa morale

Hoxhë Justinian Topulli

Politika është arti i qeverisjes së njerëzve. Të jesh pjesë kontribuuese e mirëqeverisjes së tyre është pjesë e besimit fetar dhe nuk është kundra tij. Ndaj, duke respektuar disa kritere rigoroze morale dhe islame, individë me integritet të lartë, karakter të fortë dhe përgatitje të thellë islame dhe intelektuale, është e nevojshme e ndoshta e domosdoshme të jenë pjesë e qeverisjes.

Ndërkohë, problemi që ne kemi sot është shumë më i madh dhe i komplikuar, sesa thjesht përmbushja e disa sfidave të vështira individuale, të atyre që kërkojnë të përfshihen në politikë. Problemi thelbësor më i thellë sot, është me rendin shekullar modern në tërësinë e tij, sepse ai nuk është vetëm pushtet politik, por edhe ideologjik, komunitar e social, ekonomik, kulturor, arsimor e edukativ, ushtarak dhe emocional, që qarkullon në mënyrë kapilare në jetën e njerëzve. Kështu që pushteti politik i këtij rendi është vetëm një aspekt i tij dhe jo ai më i rëndësishmi dhe baziku.

A jemi ne në gjendje t’i sfidojmë të gjitha këto fusha të këtij rendi shekullar modern, që në thelb të tij nuk ka moralitetin si busull të tij, por qasjen materialiste, e cila e toleron shpirtëroren dhe moralen, për aq sa nuk bie ndesh me të?

A mundemi ne ta sfidojmë këtë rend, duke krijuar alternativa konceptuale, komunitare e sociale, ekonomike, kulturore, arsimore, edukative dhe emocionale, që frymëzohen nga parimet morale dhe normat juridike të fesë sonë, duke e konkurruar atë në të gjitha këto aspekte, për aq sa është e mundur?

Një nga pasojat negative, sidomos tek ne shqiptarët, për shkak të ekstremit të kontrollit që ka ushtruar shteti laik modern ndaj nesh, është se gati çdo gjë të mirë e presim nga qeveria dhe politika, ndërkohë që kjo ka vrarë tek ne shpirtin e organizimit komunitar mbi baza morale të përbashkëta, të pavarur nga pushteti politik.

Puna më madhore që lipset prej nesh, është pikërisht në këtë drejtim, organizimi në nivel lokal komunitar, për të krijuar alternativa morale islame, oaze shprese dhe frymëmarrjeje, karshi gjithë këtij rendi mbytës amoral.

Rendi politik i sotëm të ndot me amoralitetin e tij, me hir ose me pahir, ndaj përfshirja në të, është sfidë e përballueshme vetëm nga njerëz tepër të veçantë e të rrallë, të ngjashëm me Jusufin (alejhi selam), siç është trajtuar para disa ditësh në një shkrim të gjatë për këtë gjë. Kjo është ajo që mund të bëjmë, dhe mendojmë se është më parësore, më morale dhe më e mundshme, si alternativë morale zgjidhjeje dhe më përbashkuese mes nesh.

Hoxhë Justinian Topulli

Exit mobile version