Menjëherë pas themelimit, LDK-ja zhvilloi një aktivitet të dendur, i cili u fokusua në dy drejtime: strukturimin e brendshëm të saj dhe në afirmimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës. Rreth këtyre aktiviteteve, Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme, në analizën e hartuar më 2 prill 1990, vlerësonte në “KSA të Kosovës situata e përkeqësuar politike dhe e sigurisë edhe më tej po mbahet në rrjedhat e përgjithshme të sigurisë në vend” dhe se, krahas “grupeve dhe organizatave ilegale”, nga janari i vitit 1990 në rritje të dukshme vërehej edhe veprimtaria e alternativës kosovare, veçmas e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që, sipas hartuesit të analizës, në ballë të saj gjendeshin kryesisht “seperatistë shqiptarë” nga mjediset intelektuale.
Qerim LITA, Shkup
Siç është e njohur, më 23 nëntor 1987, Kuvendi Federativ i RSFJ-së, e solli “Programin jugosllav për masat e aktivitetet për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë”. Në cilësinë e kryetarit të komisionit për hartimin e atij programi antishqiptar, para deputetëve gjerësisht foli Stojan Andov, sipas të cilit “shpërngulja e serbëve dhe malazezëve nga Kosova” përbënte problemin më të rëndë moral, politik dhe shoqëroro-ekonomik të shoqërisë jugosllave, i cili, sipas tij, “shprehej në një periudhë më të gjatë kohore, ndërsa pas ngjarjeve kundërrevolucionare në vitin 1981 vazhdoi me një intensitet edhe më të theksuar, që solli deri te ndryshimi i lartë dhe brengosës i strukturës nacionale të popullsisë në Kosovë”. Ai, duke u thirrur në vendimet e mbledhjes së nëntë të KQ të LKJ-së, kërkoi marrjen e masave radikale nga ana e organeve shtetërore të Kosovës, Serbisë dhe RSFJ-së për, siç do të shprehet, “mënjanimin sa më parë të shkaqeve të përkeqësimit serioz të marrëdhënieve ndërnacionale që janë rezultat i veprimtarisë së stërzgjatur të nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe me vendosmëri të realizohet politika e barazisë së plotë nacionale”. Nuk vonoi shumë dhe Sllobodan Millosheviq e klika e tij serbomadhe ngriti iniciativën edhe për ndryshimin e kushtetutës, me çka Kosovës i merrej autonomia e fituar në vitin 1974. Për rrjedhojë, Kuvendi i RS të Serbisë, më 26 korrik 1988, aprovoi projekt-amandamentet në Kushtetutën e RS të Serbisë. Me aprovimin e këtyre amandamenteve, institucionet e RS të Serbisë i shkelnin parimet themelore kushtetuese mbi barazinë e kombeve dhe kombësive, me çka vihej në pikëpyetje edhe karakteri autonom i krahinave, i përcaktuar në nenin 4 të Kushtetutës së RSFJ-së. Për ta penguar një nismë të tillë antishqiptare, minatorët e Trepçës, më 17 nëntor 1988 e filluan marshin e tyre protestues, i cili më pas u shndërrua në protesta dhe demonstrata mbarëshqiptare në Kosovë. Këto ngjarje mbarëkombëtare e tronditën thellë udhëheqjen e atëhershme komuniste jugosllave në përgjithësi, e atë serbe në veçanti. Në ato demonstrata, të cilat zgjatën deri më 21 nëntor, qindra mijëra shqiptarë dolën nëpër rrugët dhe sheshet e Kosovës për ta mbrojtur kushtetutën e vitit 1974, duke brohoritur parullat: “Jetën e japim – Kosovën s’e japim”, “Nuk e japim kushtetutën e vitit 1974”, “Rroftë kushtetuta e vitit 1974”, “Tërë Kosova është çu në këmbë që kushtetutën e vitit 1974 mos me e ndërru”, “Kosovë po se po – Metohi jo se jo” etj. Sekretariati Krahinor për Punë të Brendshme njoftonte se vetëm më datën 18 nëntor në Prishtinë kishin arritur në këmbë mbi 60 mijë demonstrues shqiptarë nga të gjitha vendbanimet e Kosovës, prej tyre 40.000 ishin vendosur në stadiumin e qytetit, ndërsa 20.000 të tjerë protestonin para Komitetit Krahinor. Ishin të kota masat e ndërmarra nga udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës për pengimin e tubimeve masive të popullsisë shqiptare dhe për pengimin e ardhjes së organizuar të tyre në Prishtinë. Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës njoftonte se demonstruesit shqiptarë ishin këmbëngulës ndaj “kërkesave të veta”, duke mos iu përgjigjur apeleve dhe thirrjeve për shpërndarje nga ana e strukturave të atëhershme udhëheqëse kosovare.
Demonstratat në mbrojtje të Kushtetutës së vitit 1974, të cilat, siç u tha më lartë, në Kosovë shpërthyen në nëntor të vitit 1988, për të vazhduar edhe gjatë muajve shkurt-mars 1989, udhëheqja politike jugosllave i vlerësoi si demonstrata kundërrevolucionare me elemente “të kryengritjes së armatosur, të orientuar drejtpërdrejt kundër rregullimit kushtetues dhe integritetit të RSFJ-së”. Ajo, më tej, shprehej se ato demonstrata ishin në përputhje të plotë me “strategjinë e përgjithshme të nacionalizmit shqiptaromadh për veprimtari të organizuar në drejtim të destabilizimit të Jugosllavisë, në rrënimin e integritetit të saj territorial dhe shkëputje të pjesëve të saj, në të cilat jetojnë pjesëtarët e kombësisë shqiptare dhe bashkangjitjen e tyre me Shqipërinë”. Sekretari Krahinor për Punë të Brendshme, Rrahman Morina, në fjalimin e tij të mbajtur më 17 janar 1989 në Beograd, e quajti tragjedi forcimin dhe fuqizimin gjithnjë e më të madh të intelektualëve shqiptarë, si Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja e të tjerë, të cilët dolën haptas kundër masave të dhunshme që u vendosën në Kosovë e në trevat shqiptare në Maqedoni. “… ata (intelektualët – v.j.), shprehet Morina, dalin nëpër gazeta, ata dalin në opinion, madje kemi raste që të tillët propozohen nëpër aktivitetet zgjedhore në vend të disa punëtorëve të dalluar shoqëror-politikë, të cilët janë dëshmuar se janë për këtë Jugosllavi, për luftën kundër nacionalizmit shqiptar etj. Të tillët propozohen. Kjo është tragjedi...”.
Ndërkohë, më 20 shkurt 1989 filloi greva e minatorëve të Trepçës, të cilët kërkonin mosndryshimin e kushtetutës së vitit 1974 dhe dorëheqjen e menjëhershme të funksionarëve proserbë: Rrahman Morinës, Hysamedin Azemit, Ali Shukriut etj.. Në mbrojtje të minatorëve të Trepçës doli udhëheqja e atëhershme politike sllovene, e cila më 27 shkurt 1989 organizoi një tubim në qendrën kulturore “Cankarjev Dom” në Lubjanë, me ç’rast kryetari i Kryesisë së LK të Sllovenisë, Millan Kuçan, do të deklaronte se në “Stari Tërg mbrohet Jugosllavia”. Më 26-27 shkurt 1989 u mbajt mbledhja e zgjeruar e Kryesisë së RSFJ-së, në të cilën me shumicë votash në Kosovë u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Më 1 mars 1989, sekretari krahinor për Punë të Brendshme, Jusuf Karakushi, urdhëroi izolimin e 220 intelektualëve shqiptarë, të cilët u dërguan në Serbi, duke iu nënshtruar dhunës së shfrenuar policore. Izolimi i tyre, sipas Karakushit, është bërë nën dyshimin se ata kanë qenë nxitësit kryesorë të organizimit të demonstratave, ndërprejes së punës, përkatësisht “kategori njerëzish”, të cilët, sipas tij, kishin qenë aktivë nga muaji nëntor 1988 e deri në mars të vitit 1989. Nën masa të rrepta policore dhe me procedurë jo të rregullt të votimit, Kuvendi i Kosovës, më 23 mars 1989, miratoi amandamentet kushtetuese, me të cilat Kosovës iu suprimua autonomia e fituar në vitin 1974. Nga 190 delegatë, sa numëronte asaj kohe Kuvendi i Kosovës, vetëm 11 votuan kundër dhe 2 ishin të përmbajtur. Po atë ditë shpërthyen demonstratat e qytetarëve shqiptarë në mbarë Kosovën, të cilat zgjatën deri më 28 mars 1989. Në shtypjen e atyre demonstratave u përdorën njësi të shumta policore nga RS e Serbisë, si dhe njësitë e APJ-së, të cilat vranë 20 demonstrues, në mesin e tyre edhe fëmijë të mitur. Kryetari i Kosovës, Remzi Kolgeci, në takimin që e zhvilloi në Prishtinë me të deleguarit e KQ të LKJ-së, demonstratat i cilësoi si “armiqësore”, të përgatitura nga “reaksioni shqiptaromadh”, me qëllim të “kundërshtimit të ndryshimit të kushtetutës së RS të Serbisë. Sa afrohej dita e dhënies së pëlqimit, vazhdon Kolgeci, paraqitja e nacionalistëve e separatistëve shqiptarë ishte gjithnjë e më e nxehtë…”.
Menjëherë pas shuarjes së demonstratave, udhëheqja shoviniste serbe, e përkrahur edhe nga ajo maqedonase dhe malazeze, si dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i APJ-së, ndërhyri edhe në organet partiake të Kosovës, ku në mënyrë të dhunshme u ndërruan qindra drejtues partiakë të LK të Kosovës dhe në vend të tyre u vendosën disa shqiptarë lojalë ndaj pushtuesit shovinist serb, të tipit të Rrahman Morinës, Sejdo Bajramoviqit etj.
Si rrjedhojë, me nismën e intelektualëve shqiptar, më 23 dhjetor të vitit 1989, në Prishtinë u formua Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK, e cila në atë kohë në opinionin e gjerë të brendshëm e të jashtëm njihej si “alternativa kosovare”. Kryetar i LDK-së u zgjodh Ibrahim Rugova, ndërsa në kryesinë shumëanëtarëshe u përfshin kryesisht intelektualë dhe ish të burgosur politikë. Programi politik i LDK-së ndahej në dy pjesë të veçanta. Pjesa e parë i kushtohej krizës ekonomike në RSFJ në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, ku për dalje sa më parë nga ajo krizë, LDK-ja angazhohej “për ekonomi të tregut”, për forma të ndryshme të pronësisë, për treg modern dhe për “përjashtimin e ndërhyrjes jokompetente” të politikës në çështjen ekonomike. Në pjesën e dytë të programit përshkruhej angazhimi politik i LDK-së, e cila siç thuhej, ishte për “një Jugosllavi demokratike, federative, socialiste dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim”. Ajo angazhohej për demokraci, e cila do të siguronte “barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve”, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, gjinore ose konfesionale. Përveç kësaj, LDK-ja, siç thuhej në program, angazhohej “për pluralizëm politik”, i cili “shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe mundëson garën e koncepcioneve dhe të opsioneve politike të ndryshme dhe për sistem shumëpartiak”, si dhe “për mbrojtjen e plotë dhe zgjerimin e lirive të njeriut e të qytetarit, për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, të shtypit e të organizimit politik…etj.”.
Menjëherë pas themelimit, LDK-ja zhvilloi një aktivitet të dendur, i cili u fokusua në dy drejtime: strukturimin e brendshëm të saj dhe në afirmimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës. Rreth këtyre aktiviteteve, Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme, në analizën e hartuar më 2 prill 1990, vlerësonte në “KSA të Kosovës situata e përkeqësuar politike dhe e sigurisë edhe më tej po mbahet në rrjedhat e përgjithshme të sigurisë në vend” dhe se, krahas “grupeve dhe organizatave ilegale”, nga janari i vitit 1990 në rritje të dukshme vërehej edhe veprimtaria e alternativës kosovare, veçmas e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që, sipas hartuesit të analizës, në ballë të saj gjendeshin kryesisht “seperatistë shqiptarë” nga mjediset intelektuale, si dhe një numër i madh i ish të dënuarve politikë. Në vazhdim, analiza ndalet në veprimtarinë dhe qëndrimin politik të alternativës kosovare, ku ndër të tjera thuhet:
“…Fokusi më i rëndësishëm në veprimtarinë e tyre është masovizimi, për çka kanë arritur rezultate të dukshme. Njëkohësisht kryejnë agjitacion për shkatërrimin e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe e kontestojnë legjitimitetin e institucioneve të sistemit. Në vend dhe në botën e jashtme insistojnë se ato janë forca reale politike, me të cilat duhet të zhvillohet dialogu që të mund të stabilizohet gjendja në Kosovë. Duke u shfrytëzuar me përvojat e partive të posaformuara, në përcaktimin e tyre programor nuk i përfshijnë qëllimet e tyre strategjike, e as aplikimin e metodave terroriste të komprometuara para opinionit botëror, megjithëse në aksionet konkrete nxisin atmosferën e ndarjes ndërnacionale dhe proceset e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve…”.
Po ky sekretariat, në informatën tepër të besueshme me titull “Ndikimi i faktorit të huaj në ngjarjet aktuale dhe në situatën e sigurisë së RSFJ-së”, ndër të tjera shkruante se me 26 shkurt 1990, Ambasada e SHBA-së në Beograd ka organizuar një takim “me qytetarët e Jugosllavisë të interesuar për reforma politike”, si dhe me përfaqësuesit e grupimeve alternative nga mbarë Jugosllavia. Qëllimi i atij takimi, siç theksohej në dokument, ka qenë që trupi diplomatik amerikan të informohet më për së afërmi për “mendimet e tyre rreth mundësisë së pluralizmit politik në Jugosllavi”. Në atë takim, nga alternativa kosovare kanë marrë pjesë Dr. Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi. Dy ditë më vonë, po në Beograd, nga ana e Delegacionit të Bashkësisë Ekonomike Europiane, u organizua një bisedë me përfaqësuesit e grupimeve politike të posaformuara nga mbarë Jugosllavia, në mesin e të cilëve ishin edhe Dr Ibrahim Rugova, si përfaqësues i LDK-së, dhe Veton Surroi, si përfaqësues i UJD-it. Më tej në dokument thuhej se përfaqësuesit konsullorë-diplomatikë të ambasadës së Suedisë “për çdo ditë i përcjellin proceset e themelimit të partive dhe lëvizjeve të reja” në Kosovë, duke treguar interesim të madh “për të kontaktuar me Ibrahim Rugovën”.
Në një dokument tjetër, të dalë nga po ky sekretariat në pjesën e dytë të prillit, vihet në dukje mbështetja e fuqishme e aktiviteteve të mërgatës shqiptare në SHBA nga “disa anëtarë të trupave përfaqësues amerikanë (grupi i kongresistëve dhe të senatorëve: Diogardi, Krejn, Brumfild, Sajmon, Doll, Rigell, Lentosh), të cilët janë shumë të angazhuar në luftë për të drejtat e shqiptarëve në RSFJ”. Më tej në dokument thuhet se “EASH në SHBA” merr pjesë nën emrin Komuniteti Shqiptar në Amerikë dhe ka ndihmë dhe mbështetje të fuqishme nga “lobi shqiptar (disa kongresistë dhe senatorë të tashëm dhe të mëparshëm, intelektualë, profesorë të universiteteve, amerikanë të pasur me prejardhje shqiptare etj.)”. Krahas ndihmës për organizimin e demonstratave të shumta antijugosllave, thuhet në vazhdim të dokumentit, EASH ka marrë ndihmë të dukshme financiare për hapjen e Zyrës në Uashington (Albanian American Education Fondation), e cila është në funksion të përfaqësimit zyrtar të shqiptarëve në SHBA. “Thekset kryesore nga paraqitjet e kongresistëve të përmendur, vazhdon dokumenti, reduktohen në sulmet e ashpra ndaj politikës së udhëheqjes serbe për shkak situatës në Kosovë, shprehjes së pakënaqësisë ndaj qëndrimit pasiv të Kongresit, lidhur me shkeljet e të drejtave njerëzore në Kosovë, duke e vënë në dukje orientimin e SHBA-së, sipas të cilit do të ndalej me vendosmëri në qëndrimin se nuk mund të tolerohej më ajo pozitë e shqiptarëve si qytetarë të rendit të dytë. Vihen në dukje edhe kërkesat se për shkak shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë, Jugosllavisë t’i hiqet statusi i kombit më të favorizuar në tregti në SHBA…”.
Formimit dhe veprimtarisë së alternativës kosovare rëndësi të veçantë i kushtoi edhe diplomacia shqiptare. Në prill të vitit 1990, Drejtoria e Parë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të RPS të Shqipërisë, i dorëzoi një informatë të detajuar Sektorit të Jashtëm pranë KQ të PPSH-së mbi, siç thuhej “shoqatat alternative” në Kosovë dhe veprimtarinë e tyre. Në të, veç tjerash thuhej se, duke filluar nga dhjetori i vitit 1989, në Kosovë ishin formuar dhe vepronin disa shoqata si: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Lidhja Demokratike e Kosovës, Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve në Prishtinë, Partia Socialdemokrate, Parlamenti i Rinisë, Partia Fshatare e Kosovës, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Kosovës dhe Shoqata Ujdi. Në vazhdim informata i përshkruante platformat veç e veç, për secilën shoqatë dhe parti politike. Kështu, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili drejtohej nga akademik Idris Ajeti dhe profesor Zekeria Cana, si platformë të veten e kishte “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut” dhe, në kuadër të kësaj, “do t’i luftojë shkeljet e hapura apo të fshehta të të drejtave të njeriut”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëhiqej nga Dr. Ibrahim Rugova, si platformë dhe angazhim të vetin kishte: afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik dhe kulturor të shqiptarëve dhe për të drejtat e tyre. Një pikë tjetër me rëndësi në platformën e LDK-së ishte angazhimi kundër çdo privilegji dhe diskriminimi kombëtar, kundër konceptit për kombet dhe kombësitë autoktone dhe shtetformuese, kundër çdo shovinizmi dhe hegjemonizmi, kundër manipulimeve nacionaliste dhe burokratike me çështjen kombëtare.
“LDK-ja, theksohet në informatë, do të përpiqet për arsimimin në gjuhën shqipe në të gjitha shkallët, për kultivimin e lirë dhe të barabartë të kulturës dhe traditave historike, për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe festimin me dinjitet të festave kombëtare. Ajo do të përpiqet për afirmimin e individualitetit të Kosovës dhe të pozitës së saj kushtetuese”.
Partia Socialdemokrate, që udhëhiqej nga Shkëlzen Maliqi, në programin e saj deklaronte se “do të përpiqet për zgjedhjen demokratike të kontradiktave konstitucionale rreth statusit të Kosovës, në bazë të deklarimeve të vetë qytetarëve të interesuar dhe pa asnjë gjykim apriori nga pikëpamja e interesave parësore, nacionale dhe të mohimit të të ashtuquajturit shtet nacional, i cili nënkupton degradimin e statusit të popullsisë shqiptare.”.
Parlamenti i Rinisë Kosovare, në njoftimin e lëshuar menjëherë pas formimit, vinte në dukje se “të rinjtë duan një shtet juridik, shoqëri civile, sistem politik shumë partish, lirinë e krijimit të shoqatave shoqërore, politike e kulturore e zgjedhje të lira parlamentare”. Më tej, Parlamenti i Rinisë Kosovare, vlerësonte se në Jugosllavi “po jep shpirt ideologjia e një rruge të vetme politike”, e cila – duke çuar në kaos dhe kontroll politik totalitar mbi popullsinë – “ka pësuar disfatën e saj historike”.
Partia Fshatare e Kosovës, e cila udhëhiqej nga Hivzi Islami, në platformën e saj politike angazhohej për “reforma rrënjësore ekonomike e shoqërore” dhe për “demokraci, liri dhe barazi të plotë”. Në kuadër të kësaj, ajo do të përpiqet kundër dhunës dhe të gjitha llojeve të shpërnguljes së popullit nga ana e shtetit dhe kundër kolonizimit nga “lëvizjet hegjemoniste dhe të shtetit të madh”. Një angazhim tjetër i Partisë Fshatare të Kosovës ishte “krijimi i kushteve normale për jetë e punë, ndalimin e shpopullimit, të plakjes demografike dhe të shuarjes së jetës në fshat”.
Në këtë periudhë në Kosovë vepronte edhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur, e cila menjëherë pas themelimit të saj është shprehur publikisht se në “kushtet e sistemit shumëpartiak” do të vepronte si shoqatë e pavarur mbipartiake dhe mbinacionale, me të vetmin qëllim “për të shprehur dhe afirmuar të vërtetën mbi Kosovën”. Ajo më tej theksonte se do të angazhohej për “një të vërtetë të pavarur e të çliruar nga ndikimet e politikës ditore dhe të gjitha paragjykimeve ideologjike të mundshme, për një të vërtetë të bazuar në kodin e gazetarisë dhe ligjit për informim”.
Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se në pjesën e parë të vitit 1990 veprimtari të bujshme në planin ndërkombëtar zhvilloi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Kështu, Zekeria Cana, në konferencën e organizuar në Bratisllavë, në fund të muajit janar të atij viti, paraqiti një material i cili ofronte fakte të pamohueshme kërcënuese nga ana e udhëheqjes komuniste serbe, duke filluar që nga të drejtat elementare të njeriut e deri te diskriminimi i shqiptarëve “në zënien në punë, në shkollim”, pastaj në përpjekjet për kufizimin e natalitetit, përpjekjeve për rikolonizimin e Kosovës nga ana e Serbisë. Lidhur me këto, ai para të pranishmëve do të shprehet se në “Kosovë nuk është fjala për represion, por për terror të pastër shtetëror”. Si rrjedhojë e të dhënave që i ofroi Zekeria Cana, në fund të konferencës u miratua një rezolutë e cila iu dorëzua Organizatës së Kombeve të Bashkuara për krijimin e një komisioni për shqyrtimin e të “drejtave të njeriut në Kosovë”. Radio “Zëri i Amerikës”, më 1 shkurt 1990, njoftonte për një thirrje nga ana e KMDLNJ-së deri te OKB-ja, që kjo e fundit të dërgojë në Kosovë një komision të posaçëm, i cili do të kryejë “hetime lidhur me trazirat e fundit” dhe njëkohësisht një delegacion i KMDLNJ-së do të udhëtonte urgjentisht në Gjenevë “për të dhënë informacione të detajuara mbi masakrat dhe terrorin që po zhvillohet në Kosovë”.
Lidhur me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, një delegacion i alternativës kosovare, i përbërë nga Ibrahim Rugova dhe Shkëlzen Maliqi, gjatë muajit shkurt të vitit 1990-të, kishte udhëtuar për në Vjenë, për t’i paraqitur këto shkelje sistematike që kryheshin në Kosovë, me ç’rast ata, gjatë një konference për shtyp, e dënuan politikën jugosllave në Kosovë, përkatësisht “politikën represive që ushtrohej kundër shqiptarëve”. Gjatë qëndrimit në Vjenë, ata u takuan me zëdhënësin e Partisë Socialiste të Austrisë, deputetin Peter Jankoviç, të cilin e informuan për gjendjen në Kosovë dhe në të njëjtë kohë “shprehën shqetësim për mungesën e gatishmërisë”, veçanërisht të udhëheqjes komuniste serbe për të “hyrë në dialog” me përfaqësuesit legjitimë shqiptarë në Kosovë. Dy personalitetet e sipërpërmendura, me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë, e vizituan edhe Suedinë, me ç’rast morën pjesë në një takim të organizuar nga Instituti Suedez i Politikës së Jashtme, në të cilin u fol për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ndërkohë, kryetari i RSFJ-së, Janes Dërnovshek, në fjalimin e tij të mbajtur para parlamentit jugosllav, ndër të tjerave u ndal edhe rreth dialogut të kërkuar nga ana e alternativës kosovare, ku, ndër të tjera, theksoi: “Duhet të fillojë një dialog me të gjithë banorët e Kosovës që duan një zgjidhje paqësore të problemit kosovar dhe një jetë krahas kombësive të tjera në Krahinë”. Ndërkohë, edhe kryetari i Qeverisë së RSFJ-së, Ante Markoviq, duke folur rreth dialogut me forcat demokratike të Kosovës shprehet: “Janë krijuar kushtet për një diferencim midis forcave separatiste dhe demokratike në krahinën e trazuar të Kosovës. Dialogu duhet të fillojë me forcat demokratike, me kusht që ato ta pranojnë integritetin e vendit dhe zbatimin e reformave ekonomike dhe shoqërore”.
Mbështetje e plotë për alternativën kosovare erdhi nga disa shoqata dhe parti politike të dy republikave të atëhershme më të zhvilluara jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia. Kështu, Këshilli për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Demokratike të Kroacisë, në një thirrje që i bëri opinionit publik, “mbështeti platformën dhe veprimtarinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Kosovës”. Ndërkohë, Këshilli i Lidhjes Demokratike të Sllovenisë, në letrën dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehte përkrahjen “si për tezat, ashtu edhe për programim e LDK-së për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë”.
Ndryshe nga dy udhëheqësit më të lartë jugosllavë, partitë politike dhe shoqatat e ndryshme serbe në Kosovë, si dhe udhëheqja shtetërore e partiake serbe në Serbi, në mënyrë kategorike e hodhën poshtë dialogun me alternativën kosovare. Anëtarja e Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Sonja Shçepanoviq, i akuzonte shoqatat dhe partitë e ndryshme alternative të Kosovës se paskan “kontribuar shumë” në “ashpërsimin e gjendjes në Kosovë… në prag, gjatë kohës dhe sidomos pas ndërprerjes së demonstratave, kur u shtua veprimtaria e tyre me qëllim të dukshëm që me përdorimin e metodave specifike të homogjenizohet kombësia shqiptare me kërkesat dhe idetë identike me kërkesat e demonstruesve… Lidhja e Komunistëve të Kosovës, vazhdon S. Shçepanoviq, nuk do të pranojë dialog me përfaqësues të këtyre të ashtuquajturave lidhje alternative, shoqata e parti.”.
Sipas burimeve diplomatike shqiptare, veprimtaria e alternativës kosovare ndiqej me vëmendje edhe nga shtetet botërore, në radhë të parë nga ato të Europës Perëndimore. Kështu, siç bëjnë të ditur këto burime, “konservatorët në parlamentin gjermanoperendimor” kishin shprehur përkrahjen ndaj alternativës kosovare, ku kishin theksuar se: “bisedimet e jo detyrimet duhet të përdoren për të zgjidhur konfliktet në krahinë jugosllave të Kosovës. Serbët dhe shqiptarët në Kosovë duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të përcaktojnë të drejtat e popullsisë që përbën shumicën ndaj asaj që përbën pakicën”. Po kështu, edhe Parlamenti Europian, në shkurt të vitit 1990 në Strasburg, zhvilloi një debat për problemin e Kosovës dhe “respektimin e të drejtave të njeriut”. Një veprimtari të dukshme në këtë periudhë pati edhe Ambasada e SHBA-së në Beograd, e cila “po i ndiqte me vëmendje qëndrimet e Serbisë” ndaj organizatave të reja politike në Kosovë, sidomos Lidhjen Demokratike të Ibrahim Rugovës. “Departamenti i shtetit”, thuhej në informatën e ministrit të Jashtëm shqiptar, Reis Malile, “e ka udhëzuar ambasadën amerikane në Beograd që me këtë lëvizje të punojë nga afër”.
Në rrethana kur në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare nën Jugosllavi qenë formuar dhe vepronin më shumë parti, me nismën Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe liderit të saj historik, Prof. Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë u formua Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në RSFJ, i cili gjatë vitit 1991 solli dy vendime shumë me rëndësi për kohën, si: vendimi për mbajtjen e Referendumit për “Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, me të drejtë për pjesëmarrje në lidhjen e shteteve në Jugosllavi”, i cili u mbajt më 26-30 shtator 1991, si dhe vendimin për mbajtjen e “referendumit për krijimin e Autonomisë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni”, i cili u mbajt më 11-12 janar 1992. Natyrisht, këto vendime vlenin vetëm në rast ekzistimit të federatës së atëhershme jugosllave. Në të kundërtën, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare do të angazhohej për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet të përbashkët. Lidhur me këtë, Ibrahim Rugova, në kongresin e parë të PPD-së, i cili u mbajt më 8-9 shkurt 1992, ndër të tjera, u shpreh se “… nuk mund të ketë Maqedoni të pavarur pa mos u respektuar vullneti i shqiptarëve për autonomi politike e territoriale, as pa pranimin e Kosovës Republikë. Nëse nuk realizohen kërkesat”, vazhdon Rugova, “atëherë do të kërkojmë të jemi të bashkuar…”.
Ndërkohë, më 28 prill të vitit 1992, në Prishtinë u mbajt mbledhja e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, në të cilin në mënyrë unanime u përkrahën zgjedhjet e para shumëpartiake në Kosovë, të cilat ishin caktuar të mbaheshin më 24 maj të atij viti. Në komunikatën e lëshuar nga kjo mbledhje thuhej: “Partitë politike shqiptare të Kosovës mbështesin rezultatet e Referendumit, me të cilin Kosova u shpall shtet i pavarur. Si shprehje e vullnetit politik të pjesës dërmuese të popullsisë së Kosovës, rezultatet e referendumit mbeten përcaktimi kryesor i punës së partive politike, të cilat edhe më tej, përkundër gjendjes së rëndë, do të vazhdojnë realizimin e përcaktimeve me mjete paqësore dhe në rrugë demokratike”.
Rëndësi të veçantë këtyre zgjedhjeve u kushtoi gazeta e vetme në gjuhën shqipe në Maqedoni, “Flaka e Vëllazërimit”, e cila asaj kohe dilte tri herë në javë. Kjo gazetë, përmes korrespodentit të saj në Prishtinë, Blerim Reka, informonte gjerësisht për të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet që u përkisnin këtyre zgjedhjeve. Vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, kjo gazetë në mënyrë ekskluzive botoi intervistën e gjatë të kryetarit të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr. Ibrahim Rugova, i cili – ndër të tjera – do të deklarojë: “…Duhet të insistojmë në opsionin tonë Kosova të jetë e pavarur, gjë që do të jetë e rëndësishme si për shqiptarët shumicë, ashtu edhe për serbët. Realizimi i një qëllimi të këtillë do të ishte i rëndësishëm edhe për shqiptarët në Maqedoni, si edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Ne kemi ndjekur këtë rrugë të vetëdijshëm se po të afirmohet Kosova, pozicionet e shqiptarëve do të jenë shumë më të forta edhe në rajonin e Ballkanit si dhe më gjerë…”.
Kjo gazetë, më 27 maj 1992 njoftonte se në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Kosovë, të cilat u mbajtën më 24 maj, Dr. Ibrahim Rugova me 99,5% të votave është zgjedhur president i Republikës së Kosovës, ndërsa, LDK-ja kishte fituar 96 deputetë. 2 deputetë i fitoi lista e kandidatëve të pavarur nga Ferizaji dhe Vitia, 1 deputet Partia Parlamentare e Kosovës dhe 1 deputet e fitoi SDA (PAD).
Këto zgjedhje, siç njoftonte Blerim Reka, ishin vlerësuar si pozitive nga ana e vëzhgueseve ndërkombëtarë: “… në raportin e vëzhguesve të Danimarkës”, shkruante Reka, “i cili iu dërgua Qeverisë daneze dhe Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, thuhet pos tjerash se duke filluar prej legjislacioni zgjedhor e deri te organizimi dhe mbajtja e tyre, zgjedhjet e Kosovës i plotësojnë të gjitha kërkesat elementare për zgjedhje demokratike, e njëkohësisht pakicave kombëtare u siguronin pjesëmarrje proporcionale…”. Zgjedhjet e 24 majit 1992 në Kosovë u përshëndetën edhe nga senatori i Belgjikës, Vili Kjupers, i cili në konferencën për shtyp që e mbajti më 4 qershor 1992 në sallën e Senatit, zgjedhjet e Kosovës i vlerësoi si “demokratike, legale dhe të organizuara jashtëzakonisht mirë”. Ai më pas foli për represionin serb në Kosovë, veçanërisht pas 24 majit, duke e veçuar vrasjen e Tahir Berishës në Leshan të Pejës dhe “armatimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë në mënyrë të haptë”.