Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Zoti im përfshin me dijen e Tij çdo gjë.”
Të dashur fëmijë!
Allahu është i Gjithëdijshmi.(El Alimu)
Allahu është Mbikqyrësi (Er Rakibu)
Allahu është i Urti.(El Hakimu)
Allahu është Shikuesi.(El Basiru)
Allahu është Dëgjuesi.(Es Semiu)
Tregim:
Tregohet se njëherë e një kohë në një klasë ishte një nxënës i dalluar, të cilin mësuesi e mbante shumë pranë. Mirëpo kjo gjë, nxënësve të tjerë nuk ju pëlqente. Mësuesi e vuri re këtë gjë. Për këtë arsye, ai vendosi që t’i vërë të gjithë nxënësit në provë. Kur hyri në klasë, u tha: Nxënës të dashur! Sot do të shkoni në shtëpi dhe do të therrni një pulë, por me kusht që mos ta dijë dhe mos t’ju shikojë askush. Nxënësit shkuan nëpër shtëpitë e tyre dhe gjithsekush prej tyre e kreu porosinë e mësuesit. Kur u kthyen të nesërmen në klasë, mësuesi filloi t’i pyeste nxënësit, në e kishin përmbushur porosinë e tij.
Unë u mbylla në dhomë dhe nuk më pa askush – u përgjigj nxënësi i parë.
Unë shkova në haur dhe nuk më pa askush – u përgjigj nxënësi i dytë.
Unë shkova në një kasolle të braktisur dhe nuk më pa askush – u përgjigj një i tretë.
Dhe kështu, secili prej tyre filloi të tregonte se ku e kishte therrur pulën në një vend të fshehtë.
Derisa erdhi rradha e nxënësit të dalluar, i cili tha: Unë nuk e kam therrur pulën.
Kur shokët dëgjuan këtë përgjigje, me qësendi thanë: A ky është nxënësi që mësuesi e mban afër dhe me hatër?!
Përse – pyeti mësuesi nxënësin e dalluar?
Po ja – tha nxënësi i dalluar. U futa në dhomë dhe desha ta therr pulën, por nuk munda sepse Allahu e di dhe më shikon. Shkova pas mullarit, por përsëri nuk munda, sepse Allahu e di dhe më shikon. Kështu që sa herë shkoja në një vend të fshehtë, e ndjeja se Allahu e di dhe më shikon. Prandaj edhe nuk e therra pulën.
Nxënësit u shtangën nga kjo përgjigje, teksa mësuesi i kënaqur nga përgjigja e nxënësit me buzën në gaz tha: Nxënës të dashur! A e kuptuat tani përse unë e mbaj pranë këtë nxënës.
Le të mendojmë së bashku!
Fëmijë të dashur!
Uji që avullon lart në qiell është i kripur, por kur ai zbret në formën e shiut zbret i ëmbël. Padyshim që e gjitha kjo ndodh me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar.
Kur ne marrim frymë kemi nevojë për oksigjen dhe nxjerrim dioksid karboni, kurse bimët kanë nevojë për dioksid karboni dhe nxjerrin oksigjen. Padyshim që e gjitha kjo ndodh me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar.
Midis planetit të Tokës dhe Diellit ka një distancë të mirë përcaktuar. Nëse Toka do të ishte më pranë Diellit, atëherë Dielli do ta digjte atë. E nëse Toka do të ishte më larg, atëherë Toka do të ngrinte. Padyshim që e gjitha kjo ndodh me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar.
Kafshët kanë nevojë për këmbë që të ecin në tokë. Peshqit kanë nevojë për ujë që të notojnë. Shpendët kanë nevojë për krahë që të fluturojnë në qiell. Padyshim që e gjitha kjo ndodh me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar.
ADN – ja është një molekulë shumë e gjatë e mbështjellë më së miri në kromozomet në bërthamën e çdo qelize që shërben për të ruajtur të gjitha informcionet e njeriut sa i gjatë do të jetë, çfarë ngjyre të lëkurës do të ketë, si do i ketë mollëzat e gishtave, çfarë tiparesh e karakteristikat do të marrë nga prindërit e kështu me rradhë. Padyshim që e gjitha kjo ndodh me dijen dhe urtësinë e Allahut të Madhëruar.
Të dashur fëmijë!
Allahu di gjithçka që ndodh në univers.
Allahu di çfarë ndodh në qiej e në Tokë.
Allahu di çfarë ka ndodhur në shkuarën, çfarë ndodh në të tashmen dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Allahu di atë që shohim dhe atë që nuk e shohim.
Allahu e di atë që e publikojmë dhe atë që e fshehim në zemra.
Allahu di me imtësi për çdo krijesë sado e vogël apo e madhe qoftë ajo.
Allahu e di për çdo pikë shiu që bie.
Allahu e di për çdo gjethe peme që bie.
Tregim:
Ibn Seleme tregon:
Një natë isha duke shëtitur rrugëve të Medinës bashkë me prijësin e besimtarëve Omer ibn Hatabin. Ecëm sa ecëm derisa u lodhëm. Ashtu siç ishim u mbështetetëm tek muri i një shtëpie. Teksa ishim të mbështetur në mur dëgjuam një dialog midis një nëne dhe bijës së saj.
Nëna: Oj bijë, shko dhe shtiji qumështit pak ujë!
Vajza: Oj nënë, a nuk e ke dëgjuar se çfarë urdhri ka dhënë prijësi i besimtarëve, Omer ibn Hatabi?
Nëna: Çfarë urdhri?
Vajza: Prijësi i besimtarëve ka dhënë urdhër që mos ta përziejmë qumështin me ujë.
Nëna: Shko moj bijë dhe shtiji qumështit ujë, sepse Omeri nuk të shikon tani.
Vajza: Oj nënë, nëse Omeri nuk na shikon, Allahu na shikon.
Prijësit të besimtarëve, Omer ibn Hatabit i pëlqeu përgjigja që vajza i dha të jëmës. Shkoi në shtëpi dhe i tha djemve të tij: A dëshiron ndokush prej jush që të martohet me këtë vajzë? Unë – u përgjigj Asimi. Asimi u martua me këtë vajzë. Ata lindën një vajzë dhe kur vajza e tyre u rrit e martua lindi një djalë. Ky djalë ishte Omer ibn Abdulazizi, që kur u rrit u bë edhe ai prijës i besimtarëve.
Dialog:
Fiona: Gjyshi! Cilat janë pesë gjërat e fshehta që i di vetëm Allahu?
Gjyshi: Askush përveç Allahut nuk e di se kur do të ndodhë Kijameti?
Fiona: Po unë e di se Kijameti do të ndodhë kur të shfaqen shenjat e mëdha?!
Gjyshi: Është e vërtetë që shfaqja e shenjave të mëdha janë paralajmërim për Kijametin, por askush nuk e di me saktësi momentin apo çastin se kur do të ndodhë Kijameti përveç Allahut.
Fiona: Po e fshehta e dytë?
Gjyshi: Askush përveç Allahut nuk e di se kur zbret shiu.
Fiona: Gjyshi, po metereologët e përcaktojnë se kur do të zbresë shiu, madje kanë arritur që ta përcaktojnë atë qysh para dhjetë ditësh?!
Gjyshi: Gjëja e parë, metereologët thjesht e parashikojnë motin dhe nuk e dinë me saktësi dhe së dyti askush përveç Allahut nuk e di me saktësi se kur do të zbresë shiu me saktësi, sa do të jetë sasia e reshjeve që bie nga një vend në një vend tjetër, kur do të fillojë dhe kur do të pushojë shiu.
Fiona: Po e fshehta e tretë cila është?
Gjyshi: Vetëm Allahu e di se ç’ka në mitrat e nënave.
Fiona: Gjyshi, mami shkoi dje te gjinekologia dhe ajo i tregoi se unë do të bëhem me motër?!
Gjyshi: Askush përveç Allahut nuk e di se çfarë tiparesh dhe karakteristikash do të ketë fëmija që do të lindë.
Fiona: Po e fshehta e katërt?
Gjyshi: Askush nuk e di se çfarë do t’i ndodhë nesër.
Fiona: Po ja, unë nesër e kam lënë që do të takohem me Erën te xhamia.
Gjyshi: Kjo është e vërtetë, por gjithsesi ti nuk je e sigurtë 100% se do të takohesh me të, sepse mund të ndodhë diçka e papritur dhe takimi nuk realizohet.
Fiona: Oh, po tani u kujtova, Unë e kisha lënë javën e kaluar që të takohesha me Erën mirëpo nuk u takuam për shkak se u sëmura.
Gjyshi: Jo vetëm kaq, por kur thuhet se askush përveç Allahut nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, kjo nuk nënkupton vetëm ditën e nesërme, porse askush përveç Allahut nuk e di se çfarë do i ndodhë në të ardhmen.
Fiona: Po e fshehta e pestë?
Gjyshi: Askush nuk e di se në çfarë vendi ka për të vdekur?
Fiona: Por..
Gjyshi: Mbesa ime e dashur, A mund të më thuash se ku dhe kur do të vdesë unë?
Fiona: Jo.
Gjyshi: Përse?
Fiona: Sepse këtë e di vetëm Allahu.
Gjyshi: Të lumtë e dashur.
Abdullahu në xhami:
Ditën e Xhuma Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes ai dëgjoi imamin që po thoshte se Allahu është i Gjithëdijshëm për gjithçka. Allahu ka krijuar botën e engjëjve dhe di gjithkça që ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e xhindeve dhe di gjithçka që ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e njerëzve dhe di gjithçka që ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e kafshëve dhe di gjithçka që ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e shpendëve dhe di gjithçka që ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e insekteve dhe di gjithçka që ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e zvarranikëve dhe di gjithçka që ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e bimëve, luleve e pemëve dhe frutave dhe di gjithçka ndodh rreth tyre. Allahu ka krijuar botën e ujit, burimeve, lumenjve, liqeneve, detrave dhe oqeaneve dhe gjithçka ndodh rreth tyre. Allahu i Madhëruar di gjithçka ndodh në qiej e tokë. Allahu i Madhëruar thotë:“A nuk e di Ai i Cili ka krijuar? Dhe Ai është më i Buti dhe më Dashamirësi, I Mirënjohuri për çdo gjë.”
Dialog:
Raidi: Mami! Kam një pyetje?
Mami: Urdhëro dhe pyet.
Raidi: Allahu i Madhëruar a ju ka mësuar njerëzve ndonjë gjë nga dija e Tij?
Mami: Patjetër biri im. Dija e Allahut është e pakufishme, një pjesë të dijes së Tij ia ka treguar krijesave të tij. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ai i ka mësuar njeriut atë që nuk e dinte”
Raidi: Mund të më tregosh një shembull që Allahu i Madhëruar i ka mësuar njeriut?
Mami: Allahu i Madhëruar ia mësoi Ademit (a.s) emrat e të gjithë sendeve
Raidi: Më trego edhe një shembull tjetër!
Mami: Allahu i Madhëruar ia mësoi Jusfufit (a.s) komentimin e ëndrrave
Raidi: Oh po tani mu kujtua. Allahu i Madhëruar ia mësoi Jusufit (a.s) komentimin e ëndrës së 11 yjeve dhe Diellit e Hënës që i ranë në sexhde; ëndrën e dy shokëve të burgut dhe ëndrën e çuditshme që pa mbreti.
Mami: Biri im. Si mendon ti, po Profetit Muhamed (a.s) çfarë i mësoi Allahu i Madhëruar?
Raidi: Kuranin.
Mami: Të lumtë.
Raidi: Kam edhe një pyetje të fundit. Unë dua të mësoj sa më shumë, çfarë duhet të bëj?
Mami: Lute Allahun e Madhëruar me fjalët: “O Zot ma shto diturinë” dhe lexo e mëso sa më shumë.
Raidi: Allahu ta shpërbleftë me të mira mami.
Mesxhidu “Dirar”
Në qytetin e Medinës, Profeti (a.s) ka jetuar 10 – të vite. Në këtë qytet, Profeti (a.s) vendosi themelet e një shoqërie të shëndoshë e ndërtuar mbi parimet dhe mësimet e Zotit. Banorët e Medines e donin shumë Profetin (a.s). Mirëpo në Medine kishte dhe asi njerëzish që nuk e donin atë, si për shembull munafikët (hipokritët) që me gojë pohonin se besonin dhe e donin Porfetin (a.s) por që në të vërtetë e urrenin shumë atë.
Njëherë ata, shkuan tek Profeti (a.s) dhe i thanë se kishin ndërtuar një xhami me qëllim që të adhuronin Allahun, se e kishin ndërtuar xhaminë për të sëmurët që kishin nevojë, për netët me shi, e kështu me rradhë. Ata kërkuan prej Profetit (a.s) që të shkonte të falej në të dhe ta bekonte atë xhami. Asokohe, Profeti (a.s) po bëhej gati për të shkuar në një betejë dhe u tha: Tani nuk kam mundësi të vij tek xhamia, por kur të kthehem nga beteja do të vij të falem tek xhamia.
Mirëpo me ndërtimin e xhamisë, ata kishin pasë një qëllim shumë djallëzor. Ata e ndërtuan xhaminë për të thurrur komplote, kurthe dhe intriga kundër Profetit Muhamed (a.s) dhe të gjithë besimtarëve. Padyshim që Profeti (a.s) nuk e dinte se çfarë ata fshihnin në zemra, prandaj edhe u dha fjalën që do të falej pasi të kthehej nga beteja. Por a mund t’i fshihet ndonjë gjë Allahut të Madhëruar që di gjithça që njeriu fsheh në zemër?! Allahu i Madhëruar e njoftoi Profetin (a.s) për planin e tyre djallëzor dhe e urdhëroi atë që most ë falej aty. Kur Profeti (a.s) u kthye nga beteja urdhëroi shokët e tij që ta shkatërronin këtë xhami.
Kjo xhami quhet “Mesxhidu Dirar” që do të thotë xhamia që u ndërtuar për t’i shkaktuar dëme Profetit Muhamed dhe të gjithë muslimanëve.
Mos e lavdëroni veten tuaj. Allahu e di kush është më i përkushtuar.
Njëherë e një kohë hebrenjtë shkuan tek Profeti Muhamed (a.s) dhe në duar kishin fëmijët e vegjël dhe i thanë: O Muhamed! A konsiderohen fëmijët tanë mëkatarë? Ai (a.s) tha: Jo. Atëherë ata thanë: Edhe ne jemi si fëmijët tanë. Çdo mëkat që ne e kryejmë gjatë ditës na shlyhet natën dhe çdo mëkat që e kryejmë natën na shlyhet ditës.
Njëherë tjetër ata thanë: Ne jemi populli më i zgjedhur tek Allahu, ne jemi bijtë e Zotit, nuk do të hyjmë në Zjarr vetëm se për disa ditë, e në Xhenet nuk do të hyjë vetëm se ai është hebre.
Mirëpo si mund të jenë hebrenjtë kaq të pastër pa mëkate, kur ata nuk besuan në profetësinë e Muhamedit (a.s), nuk kanë besuar në Kuran, madje kanë arritur deri aty sa të flasin keq për madhështinë e Zotit?!
Prandaj, fëmijë të dashur! As edhe njëherë të vetme, mos e lavdëroni veten, sepse Allahu i Madhëruar e di se kush është më i përkushtuar dhe më i devotshëm në adhurim dhe vetëm Ai e di se kush prej nesh është më i bindur dhe i nënshtruar ndaj urdhrave të Tij.
Veprimi i Davidit
Davidi sot ishte shumë i kënaqur sepe në testin e matemematikës mori notën 10. Në fakt, ai nuk kishte mësuar fare, mirëpo gjatë testit ai kishte kopjuar. Sa herë që mësuesja e matematikës i hidhte sytë nga Davidi, ai bënte sikur mendohej, por kur mësuesja i shkëpuste sytë nga ai, menjëherë nxirrte fletën e kopjes dhe kopjonte. Kështu veproi derisa e përfundoi të gjithë testin. Ai ishte shumë i lumtur, sepse mësuesja nuk kishte arritur ta kapte as edhe njëherë të vetme. i kënaqur nga ky veprim ai mendoi që ta përsërsite këtë gjë edhe në testet e lëndëve të tjera. Si mendoni ju fëmijë a ka vepruar Davidi drejt dhe përse?
Dituria e Allahut se njerëzit kanë adhuruar profetin Isa (a.s):
Në ditën e Kijametit, Allahu i Madhëruar do të pyesë profetin Isa (a.s):
O Isa, biri i Merjemes! A mos u the ti njerëzve: Më adhuroni mua dhe nënën time si dy zota përveç Allahut?
E Isai (a.s) do të përgjigjet: Lavdi të qoftë Ty. Nuk më takon mua të them atë që nuk është e vërtetë. Ta kisha thënë atë, Ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, e unë nuk e di ç’ka në Ty. Ti je Ai që i di të gjithë të fshehtat. Unë nuk ju kam thënë veç asaj që Ti më urdhërove: ta adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, dhe sa isha në mesin e tyre kam qënë dëshmitar dhe qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe Mbikqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë. Nëse Ti i dënon ata, në të vërtetë ata janë robërit e Tu, e nëse ua fal atyre, Ti je i Gjithëfuqishmi, më i Urti.
Allahu tha:
Kjo është dita që të drejtëve ju bën dobi drejtësia e tyre. Ata kanë xhenete në të cilët rrjedhin lumenj, aty do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është fitorja më e madhe.
Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithë ç’ka në to dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo send.
Ja se si i lutet Kenza Allahut të Madhëruar:
“Zoti ynë! Nuk ka dyshim që Ti e di se çfarë fshehim dhe çfarë e shfaqim hapur. Asgjë në tokë e në qiell nuk mund të të fshihet ty o Allah. O Zot na fal për ato gabime që i bëjmë haptazi apo fshehtas.
Zoti ynë na i prano punët dhe veprat e mira. Vërtet, Ti je Gjithëdëgjuesi i Gjithëdijshmi.
Zoti ynë na mëso atë që është e dobishme për ne, na jep dobi me atë që na ke mësuar dhe na shto dijen.
Zoti ynë na e mëso atë që nuk e dimë, na e kujto atë që e kemi harruar dhe na i çel dyert e bereqetit të qiejve dhe të tokës. Vërtet Ti je Dëgjuesi, i Gjithëdijshmi.”
Amin!