Aliyev: Përfaqësuesit e Federatës Ruse janë fajtorë për rrëzimin e avionit azerbajxhanas në Kazakistan

Ilham Aliyev

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev deklaroi se faji për humbjen e jetës së qytetarëve të Azerbajxhanit në avionin që u rrëzua pranë qytetit Aktau të Kazakistanit për shkak të dëmtimit nga zjarri i hapur në hapësirën ajrore ruse bie mbi Federatën Ruse, transmeton Anadolu.

Aliyev u takua me familjet e dy pilotëve dhe një punonjësit të kabinës që humbën jetën në avionin e pasagjerëve të Azerbajxhanit (AZAL) që u rrëzua pranë qytetit Aktau të Kazakistanit më 25 dhjetor 2024 dhe dy pjesëtarët e ekuipazhit të kabinës që i mbijetuan aksidentit.

Duke kujtuar se pilotët dhe ekuipazhi i kabinës që humbën jetën në incident janë shpallur “Heronj Kombëtarë të Azerbajxhanit” dhe dy pjesëtarëve të ekuipazhit të kabinës që mbijetuan iu dha medalja “Reşadet” (për shërbimin e merituar) Aliyev tha se në këtë aksident nuk do të kishte të mbijetuar nëse pilotët nuk do të kishin treguar profesionalizëm dhe heroizëm.

Aliyev bëri të ditur se kutitë e zeza të avionit u ekzaminuan në Brazil. “Sigurisht, do të dalin në dritë të gjitha çështjet që janë të panjohura deri më tani. Është e qartë se avioni është bërë i pakontrollueshëm me metoda radio-elektronike. Një gjë tjetër që ne e dimë është se avioni është dëmtuar nga zjarri nga toka. Por, nuk kemi informacion ende pse avioni u drejtua për në Aktau? A ishte ky me vendim të kullës, apo zgjedhje e vetë pilotëve. Të gjitha këto informacione do të zbulohen pasi të hapen kutitë e zeza”, tha ai.

“Jeta e çdo qytetari të Azerbajxhanit është e çmuar”, tha Aliyev duke shtuar se “Kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur, nëse hapësira ajrore mbi qytetin e Groznit do të ishte mbyllur me kohë, nëse të gjitha rregullat e shërbimeve tokësore do të ishin respektuar dhe do të kishte pasur koordinim midis forcave të armatosura dhe shërbimeve civile të Federatës Ruse”.

Aliyev tha se nuk dëshironte të zbulonte të gjitha detajet rreth hetimit. “Mund të them me siguri se fajin për vdekjen e qytetarëve të Azerbajxhanit në këtë aksident e kanë përfaqësuesit e Federatës Ruse. Ne kërkojmë drejtësi, dënim të fajtorëve, transparencë të plotë dhe trajtim njerëzor”, tha ai.

Avioni i tipit” Embraer 190″ i AZAL-it, i cili po kryente fluturimin Baku-Grozny u rrëzua në afërsi të qytetit Aktau të Kazakistanit më 25 dhjetor. Në aksident humbën jetën 38 persona ndërsa 29 mbijetuan.

AZAL ka njoftuar se avioni është rrëzuar si pasojë e ndërhyrjes së jashtme fizike dhe teknike.

Zyrtarët e Azerbajxhanit që folën për AA-në, konfirmuan pretendimin se avioni është sulmuar nga sistemi rus i mbrojtjes ajrore “Pantsir-S”.

Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar bisedë telefonike me Aliyevin dhe i ka kërkuar falje “për incidentin tragjik që ndodhi në hapësirën ajrore ruse” ku u rrëzua avioni i AZAL-it.