Azerbajxhani kërkoi të dielën që Rusia ta pranojë fajin për rrëzimin e avionit të saj të pasagjerëve, t’i ndëshkojë ata që janë përgjegjës dhe të paguajë dëmshpërblim.
Duke folur për gazetarët në Baku, Presidenti Ilham Aliyev konfirmoi se avioni i Azerbajxhanit, i cili u rrëzua pranë qytetit të Kazakistanit Aktau, u dëmtua rëndë nga zjarri tokësor dhe pothuajse humbi kontrollin për shkak të luftës radio-elektronike.
“Faktet janë se avioni civil i Azerbajxhanit u dëmtua nga jashtë në territorin rus, afër Groznit, dhe pothuajse humbi kontrollin. Ne gjithashtu e dimë se avioni ynë është bërë i pakontrollueshëm për shkak të luftës radio-elektronike,” tha ai.
Fluturimi i AZAL, në rrugë nga Baku në Grozny në Republikën Çeçene të Rusisë, u rrëzua 3 kilometra nga Aktau në bregun e Detit Kaspik të mërkurën.
Autoritetet kazake raportuan se 38 persona humbën jetën në rrëzimin e avionit Embraer 190, i cili kishte 67 persona në bord, ndërsa 29 mbijetuan. Hetimet për incidentin janë duke vazhduar si në Azerbajxhan ashtu edhe në Kazakistan.