Aliyev dhe Blinken diskutojnë për procesin e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një bisedë telefonike diskutuan për procesin e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Presidenca e Azerbajxhanit thuhet se Blinken ka telefonuar Aliyevin dhe ka theksuar se mirëpret përparimet në negociatat e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Blinken ka vënë në dukje se do të vazhdojnë mbështejen e tyre për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Azerbajxhan-Armeni dhe se mes dy vendeve duhet të nënshkruhet sa më parë marrëveshja e paqes.

Aliyev ka rikujtuar se tani është arritur paqja në rajon dhe se parimet që përbëjnë bazën e marrëveshjes së paqes janë propozuar nga Azerbajxhani. Ai ka thënë se Azerbajxhani po bën përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit dhe paqes me Armeninë.

Duke vënë theksin se mirëpresin dëshirën e SHBA-së për të kontribuar në procesin e paqes, Aliyev deklaroi se për përparimin e procesit të paqes duhet t’u jepet fund pretendimeve për territor në Kushtetutën dhe legjislacionet e tjera të Armenisë.

Aliyev thekson se ka ardhur koha për shpërbërjen e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili u krijua për zgjidhjen e konfliktit në Karabak nën bashkëkryesimin e SHBA-së, Rusisë dhe Francës.