Aliyev: Armenia ka “pranuar tashmë humbjen”

Ushtria armene ka “pranuar tashmë humbjen” në mes tensioneve të rritura përgjatë kufirit për më shumë se një muaj, tha presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi armatim modern dhe shpirt të lartë luftarak. Ne treguam kush është kush dhe vërtetuam se ‘ushtria e pathyeshme’ e Armenisë ishte një mit. Ata tashmë e kanë pranuar humbjen. Ky është një pranim i humbjes së tyre ushtarake dhe fitores sonë”, shkroi presidenti Aliyev në twitter.

Ai theksoi se duke sulmuar civilët në pjesë të ndryshme të vendit, Armenia synonte të “mbillte kaos dhe panik” në Azerbajxhan.

“Megjithatë, ata e llogaritën keq shpirtin e popullit të Azerbajxhanit. Pavarësisht humbjeve tona, ajo nuk arriti të thyejë vullnetin tonë. Përkundrazi, na bëri më të fortë”, tha Aliyev.

Përleshje të reja shpërthyen më 27 shtator, dhe që prej asaj kohe Armenia ka sulmuar vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur tre armëpushime humanitare që nga 10 tetori.

Deri më tani, mbi 200 fshatra dhe vendbanime janë çliruar nga Forcat e Armatosura të Azerbajxhanit nga pushtimi i Armenisë.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit që nga e mërkura, të paktën 90 civilë kanë humbur jetën, përfshirë 11 fëmijë dhe foshnje dhe 405 njerëz, me të paktën 36 fëmijë mes tyre, janë plagosur në sulmet e forcave armene.

Rreth 2.700 shtëpi dhe 98 ndërtesa banimi me shumë apartamente janë shkatërruar dhe 500 objekte civile janë dëmtuar po ashtu.

Pushtim prej disa dekadash

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së si dhe organizatat ndërkombëtare kërkojnë “tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të forcave okupuese” nga territori i Azerbajxhanit.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës po ashtu i referohet territorit si nën okupimin e forcave armene.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit, përfshirë Malësinë e Karabakut dhe shtatë rajone fqinje, kanë qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për gati tre dekada.