Ali Ahmeti: Kriza institucionale nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se kriza institucionale që ka kapluar Maqedoninë, nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike.

Kjo deklaratë e Ahmetit vjen pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për mos dhënien e mandatit për liderin e LSDM-së, për “shkak të platformës shqiptare”.

Lideri i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni sot është takuar me Përfaqësuesen e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për të cilën thotë se ka shprehur edhe një herë mbështetjen e BE-së për Maqedoninë.

“Për 16 vite kemi punuar bashkë dhe çdo e arritur është e përbashkët me BE-në, NATO-n dhe SHBA-në. Ne kemi qenë, jemi dhe do mbetemi partner të komunitetit ndërkombëtar. Kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike dhe ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur zgjidhje politike”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sipas Ahmetit, sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe integrimi në NATO dhe BE janë prioritetet e shqiptarëve në Maqedoni.

“Zonja Mogherini shprehu vlerësim për rolin dhe qasjen tonë konstruktive në këtë krizë të rëndë duke theksuar që Bashkimi Evropian është pranë nesh në përpjekjet për ta zgjidhur krizën, ndërsa theksoi nevojën për të vijuar dialogun tonë”.