Algjeria kërcënoi se do të revokojë akreditimin e agjencisë franceze të lajmeve AFP për të operuar në vend për shkak të asaj që vendi e ka quajtur “fushatë e neveritshme armiqësore”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Ministria algjeriane e Informacionit tha se AFP “vazhdon paragjykimin e saj armiqësor kundër Algjerisë dhe largohet nga bazat më të ulëta të besueshmërisë dhe objektivitetit”.
Deklarata akuzoi gjithashtu AFP-në për “gënjeshtra dhe dezinformata” që synojnë të shtrembërojnë imazhin e Algjerisë me mbulimin e saj të fundit, si dhe për shërbimin e agjendave dhe lobeve të urryera ndaj vendit të Afrikës Veriore.
Të martën, AFP publikoi një raport mbi emigracionin e fshehtë dhe të paligjshëm midis Algjerisë dhe Spanjës, duke cituar njerëz që u pretendua të kenë thënë se ata “më mirë do të vdisnin në det sesa të qëndronin në Algjeri”.
Tensionet u përshkallëzuan mes Algjerisë dhe Francës muajin e kaluar pas komenteve të presidentit francez Emmanuel Macron që u konsideruan nga shumë algjerianë si fyese.
Algjeria u përgjigj duke tërhequr ambasadorin e saj në Paris dhe duke ndaluar avionët ushtarakë francezë të përdorin hapësirën ajrore algjeriane më 3 tetor.
Në reagim të mëtejshëm ndaj tensioneve në rritje, tri ministri algjeriane njoftuan se do të ndalonin përdorimin e frëngjishtes në korrespondencat e tyre zyrtare.
Algjeria kaloi 132 vjet nën sundimin kolonial francez, duke fituar pavarësinë në vitin 1962. /aa