Ballina Autorë Opinione Alfabeti i kulturës demokratike – Fragmente

Alfabeti i kulturës demokratike – Fragmente

Akademik Rexhep Qosja

1.
Kur shkatërrohen sistemet e vlerave të shoqërisë e të shtetit atëherë jeta bëhet jo vetëm e padurueshme por edhe e neveritshme. Të dhënat që e dëshmojnë këtë shkatërrim po shtohen gjithnjë e më shumë. Kur shumësia e këtyre të dhënave të jetë e dukshme edhe për sytë e atyre që nuk shikojnë edhe me mendje dhe të atyre që dinë të mendojnë vetëm me gojë, atëherë mund të ndodhë çka nuk mund të pritet. Këtë e ka dëshmuar fati i Perandorisë Romake dhe fati i Perandorisë Bizantine.
2.
Fati i tij, emrin e të cilit nuk po jua them kësaj here, e dëshmon plotësisht pohimin e Mahatma Gandit: “Së pari të injorojnë plotësisht; së dyti të përqeshin ditë e natë; së treti nuk lënë gjë pa thënë kundër teje, në fund, pas të parës, të dytës dhe të tretës herë ti del fitimtar, domethënë fiton.
3.
Kush e ka thënë i pari bukur e ka thënë: kurrë nuk mund t’i nënçmosh sa duhet e si duhet mendjen dhe shijen e atyre që gjithnjë dëshirojnë të tërhiqen zhagas për hunde!
4.
Ai është i mençur, ai është i talentuar, ai ka shumë përvojë politike e të përgjithshme, prandaj edhe e di, është i bindur se ekzistojnë kufizime shoqërore, politike, kulturore dhe historike që e përcaktojnë se çka mund të arrihet për një mandat të kryetarit. E me të arriturat vetëm gjatë një mandati masa nuk kënaqet. Për këtë arsye do t’i mobilizojë dijet e forcat që ato që s’ka arritur t’i realizojë në mandatin e parë t’i realizojë në të dytin. Ky është parim frytdhënës në demokraci, natyrisht në qoftë se nuk i dorëzohet korrupsionit.
5.
Është interesant, e tha me gojë dhe mandej e shkroi me dorë, se në histori kanë mbetur përgjithmonë të çmuar, jo ata që i ka ngritur por ata që i ka mohuar feja.
6.
Është thënë prej mendimtarëve të shekujve të ndryshëm se është i madh numri i sundimtarëve që kanë ardhur, që vijnë e që do të vijnë në pushtet me poshtërsi, që mbahen në pushtet në sajë të marrëzive të të tjerëve; që bien prej pushtetit kur iu mbushet mendja të huajve ndaj të cilëve ata ishin vazhdimisht puthadorës. Edhe ky është parim, qëndrim që e cilëson demokracinë.
7.
Njëra prej fjalive politike e shtetërore që zyrtarë e jozyrtarë e përsërisin shumë shpesh, në mbledhje zyrtare dhe jashtë tyre, është: të bëhemi Evropë. Nuk thonë të bëhemi Amerikë por Evropë sepse Evropën e kemi më afër dhe ua merr mendja se prej më të afërmit mësohemi më shpejt dhe si ai bëhemi më lehtë. Kur e thonë këtë fjali mendojnë të bëhemi si francezët, si anglezët, si italianët, si gjermanët. Asnjëri prej tyre nuk është dëgjuar të thotë: të bëhemi çka jemi. Prej asaj që kemi, prej asaj si jemi, të bëjmë të renë, të vlefshmen, të rëndësishmen, të dobishmen, të nevojshmen, të domosdoshmen, të dëshirueshmen, të bukurën, të gjithmonshmen. Dhe, ashtu do të bëhemi Evropë dhe do bëhemi Evropë sepse edhe Evropa do ta çmojë atë që kemi bërë dhe si e kemi bërë dhe nuk do të ngurrojë të na nderojë e të mësojë diçka edhe prej nesh.
8.
Mungesa e marrëveshjeve mes atyre që janë në pushtet dhe atyre që janë në opozitë sjell bredhjen e qeverisjeve mes autoritarizmit dhe demokracisë, në të vërtetë sjell përdorimin autokratik dhe totalitar të demokracisë!
9.
Korrupsioni, nepotizmi, privilegjet e ndryshme, të vogla e të mëdha të pushtetarëve e lodhin dhe e tendosin shoqërinë politikisht, ekonomikisht dhe moralisht. Deri kur do të jetë kështu pa përgjigjen e duhur që do të duhej të jepte sovrani – populli, është vështirë të dihet dhe vështirë të thuhet.
Shkaktarët e kësaj tendosjeje, e kësaj lodhjeje nuk duan ta dinë se pasojat e privilegjeve të tyre një ditë mund të godasin në radhë të parë kokën e tyre!
10.
Imanuel Kanti: Obligimi që ka njeriu ndaj vetvetes më së shpeshti dhe më së shumti cenohet prej të kundërtës të së vërtetës: prej gënjeshtrës.
11.
Volfgang Gëte: Që njeriu të mund dhe të dijë të nderojë një personalitet edhe vetë do të duhej të jetë dikush e diçka.
12.
Mos e dhëntë Zoti që edhe unë të jem përkrahës i atij kryetaria a atij kryeministri që shpërfill, që cenon detyrën më të rëndësishme të një kryetari, të një kryeministri atdhetar: krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Të tillë, kryetarët dhe kryeministrat, u krijojnë mundësi vetëm të vetëve!
13.
Në jetën tonë shoqërore, politike, kulturore, shëndetësore kur e kur mënjanohen pasojat, por zakonisht mbesin shkaqet!
Çka të thuhet për këtë mjeshtëri?
Mënjanimi i pasojave e i të këqijave duke i heshtur shkaqet është mjeshtëri demagogjike me të cilën mburren demagogët. Le t’i quajmë njerëz mendjepaktë dhe shpirtmjerë!
14.
Vjen në pushtet me poshtërsi, mbahet në pushtet në sajë të servilizmit dhe marrëzive të të tjerëve, kurse mënjanohet prej pushtetit kur u mbushet mendja të huajve që në jetët tona politike denjësohen me fjalën ndërkombëtarët.
15.
Madhështinë e popujve barbarët e matin me sasinë e armëve që kanë, tha mendimtari i dikurshëm evropian, kurse të qytetëruarit me sasinë, me cilësinë, me kuptimin, me domethënien, me vlerën e arteve, të shkencave, të filozofive.
16.
Një publicist i moshuar më tha, dhe njëkohësisht mu lut të mos ia shënoj emrin, se foltoret e sotme shqiptare do të ishte mirë, dhe do të ishte mirë sepse do të shpjegoheshin mirë paraqitjet, deklaratat, diskutimet, polemikat në to, sikur të quheshin me fjalën e huaj të përkthyer shqip lehore. Nuk jam i sigurt se gjuhëtarët do të pajtohen me këtë fjalë të re shqipe të krijuar prej përkthimit të fjalës latine, në të vërtetë italiane.
17.
Kultura është përmbajtje e trajtë e ekzistencës më të lartë historike.
Kultura, që moti thuhet e shkruhet, është identiteti i popullit; ajo ruan vlerat thelbësore të tij; ajo është shpirtësia e tij. Si shihet prej veprimtarisë së saj, Ministria e Kulturës e Kosovës sikur nuk kujdeset t’i dëshmojnë si duhet e sa duhet këto virtyte të Kulturës sonë.
18.
Vendimet politike janë më të bindshme, më të sigurta, në të çmuara në qoftë se bazohen në të dhëna që sjell hulumtimi shkencor.
Është e kuptueshme, prandaj, pse disa prej shteteve të mëdha, të mëdha në të gjitha pikëpamjet, kanë institute shkencore të cilat me veprimtarinë e tyre iu shërbejnë institucioneve shtetërore.
19.
Mendjepakti, e ka thënë një poet i madh evropian me prejardhje etiopiase, është gjithmonë lokal, derisa gjeniu është universal.
I njëjti krijues e ka thënë edhe këtë mendim: Gjení e ligësí nuk mund të bashkëjetojnë.
20.
Heshtja e intelektualëve në jetën shoqërore e politike është më e pamoralshme sesa dhuna e diktatorëve.
21.
Në jetën politike sot natyra dikujt ia ka marrë mendjen, dikujt sytë e ballit, dikujt veshët, dikujt fatin, kurse disa politikanëve ua ka marrë të gjitha këto.
22.
Kush harron apo e shpërfill historinë do të jetë i detyruar ta përsërisë të tillë çfarë ishte!
23.
Ministri frances Aleksis de Tokëvill, shumë shkurt ministër, në gjysmën e shekullit nëntëmbëdhjetë, ka thënë se më anë të votimit mund të triumfojnë edhe figurat më banale të kohës. Triumfet e këtilla në kohën e tij nuk ishin të rralla. E sot? Sot nuk do të jenë të rralla as në Evropën e madhe, thonë, e as në vende të tjera që kanë e që s’kanë kulturën evropiane për rregullimin demokratik të marrëdhënieve politike, shoqërore, kulturore, të përgjithshme. Si të parandalohen triumfet e këtilla në votime? Natyrisht, me sundimin e ligjit.
24.
Me politikën e tyre disa nga pushtetarët tonë të sotëm i kanë përmbysur kodet historike, demokratike, kulturore dhe sociale!
25.
Galileo i lavdishëm ka thënë se numri i atyre që i shpjegojnë drejt çështjet e vështira është shumë më i vogël se numri i atyre që i shpjegojnë gabimisht. Shpjegimi është si vrapimi. Një kalë arab do t’ia kalojë një grumbulli të gomarëve.
26.
Terrorizmi! Fatkeqësi e madhe për njeriun, shoqërinë dhe shtetin. Terrorizmi nuk rrezikon vetëm sigurinë siç po e trajtojnë zyrtarët sot, por edhe demografinë, qytetërimin e përbërës të tjerë të mëvetësisë së shtetit të sulmuar e të popullit të tij.
27.
Thuhet, por kjo që thuhet shpejt harrohet, se asgjë nuk e komprometon një pushtet sesa ai veten kur i shërben vetëm vetvetes.
28.
Historia do të duhej t’i mësonte njerëzit se rrezik më i madh se mbiçmimi është nënçmimi i armikut.
29.
Interesi kombëtar në politikë ndodh të vendoset mbi bazë të shtetit, mbi bazë të partisë dhe mbi bazë të kombit. Nuk ka dyshim se interesi kombëtar më së shumti shpërfillet e dëmtohet kur vendoset mbi bazë të partisë. Kur shikojmë dhe dëgjojmë se si sillen partitë e opozitës ndaj partisë apo partive që janë në pushtet bindemi se edhe sot e gjithë ditën interesat kombëtare vendosen mbi bazë të partisë. Dhe kështu e cenojnë interesin kombëtar.
30.
Mendimtari dhe politikani i lavdishëm Tomas Karlajl ka thënë dhe ka shkruar se Shekspiri vlen më shumë se krejt Mbretëria Britanike.
Pse jo? Mbretëria Britanike mund të shpërbëhet dhe mund të pushtohet prej ndonjë pushtuesi të çmendur, por veprat e Shekspirit as nuk mund t’i shpërbëjë, as nuk mund të asgjësojë dhe as nuk mund t’i pushtojë asnjë pushtues. Ato janë të papushtueshme dhe të paharrueshme. Mos do të thotë kjo se përkushtimi ndaj krijimtarisë shpirtërore duhet të jetë përkushtimi kryesor në çdo program shtetëror.
31.
Si po shihet sot dhe si është parë e dëgjuar edhe më herët kur e sundonte Shqipërinë, herë si kryeministër, herë si kryetar i shtetit e gjithnjë si kryetar i Partisë Demokratike, politika e tij përcaktohej prej shfrenimeve të pushtetshme të cilat as kultura dhe as etika nuk kanë mundur t’i ndalojnë e as t’i frenojnë. Dhe, s’po mund t’i frenojnë as sot. E kuptueshme. Ato nuk udhëhiqen nga vetëdija e ndërgjegjja.
32.
Në njëmendësinë politike e shtetërore shqiptare pushteti ekzekutiv vazhdon të jetë pushtet mbisundues. Dhe, si pasojë e këtij mbisundimi në njëmendësinë tonë politike e shtetërore nuk mund të ndërtohet demokraci e vërtetë. Po për këtë arsye në dy shtetet tona jurisprudenca nuk mund të ndërtohet si pushtet i tretë. Fatmirësisht në kohë të fundit në Shqipëri e në Kosovë, ajo, jurisprudenca, ka filluar të pavarësohet si pushtet i tretë.
33.
Në jetën shqiptare politike mund të dëgjohen zyrtarë të lartë të cilët sillen si perandori i Bizantit, Kodima, i cili thoshte: sundimtari ka të drejtë t’ua ndërrojë domethënien fjalëve. O sa fjala e zyrtarëve emetohet me domethënie të ndryshuar kur e kur edhe gramatikisht e sakatuar. Të shkretat fjalë e të shkretët dëgjues!
34.
Është thënë prej një vargu studiuesish tanë se përpjekjet kundër gjuhës standarde realizohen si përpjekje kundër identitetit kolektiv të shqiptarëve.
Është thënë prej shumë të tjerëve se përpjekjet për krijimin dhe njohjen e kombit kosovar realizohen si përpjekje kundër identitetit kolektiv të shqiptarëve.
Si të parat ashtu edhe të dytat janë përpjekje kundër Kombit shqiptar.
35.
Nuk është vështirë të bindet njeriu, që e përcjell gjendjen politike, shoqërore, shtetërore shqiptare se disa pjesëtarë të klasës politike më shumë mendojnë e përpiqen të marrin prej Shqipërisë e Kosovës sesa t’u japin atyre. Ajo që japin çmohet në mënyra të ndryshme, kurse ajo që marrin quhet korrupsion, ryshfet, plaçkitje, uzurpim, vjedhje e ku ta dimë si ndryshe.
36.
Konflikti i interesave midis të pushtetshmëve, në njërën anë, dhe të tjerëve, kryesisht të shpërfillurve, në anën tjetër, ende është i heshtur dhe i pashprehur. Do të vijë koha kur do të shprehet duke i sjellë pasoja të rënda njëmendësisë shoqërore e shpirtërore. E kuptueshme. Klasa politike i ka mjetet për atë uzurpim të interesave: i ka mediat që i shërbejnë, e ka policinë, i ka argatët e paemërtuar dhe i ka mjetet e tjera të ndryshme të kontrollit.
Shtresat e tjera, duke i përfshirë këtu edhe shtresën e intelektualëve, janë dhe mbeten të heshtura, të pranguara kryesisht për shkak të varfërisë!
37.
Populli shqiptar i ndarë në dy shtete sot për sot nuk ka fuqi biologjike, ekonomike, shpirtërore, qytetëruese, kulturore, për t’iu shmangur zvetënimit të identitetit të tij në Bashkimin Evropian. Ruajtjen, zhvillimin dhe pasurimin e identitetit të tij nuk mund ta gjejë në Bashkimin e sotëm Evropian qoftë edhe për arsye se në të janë forcuar nacionalizmat e vjetër e po krijohen edhe nacionalizma të rinj.
Për këtë arsye bashkimi i dy shteteve shqiptare, i Shqipërisë e i Kosovës, të cilat vetëm ashtu të bashkuara mund të krijojnë e të zhvillojnë politikë të përbashkët, integruese, bëhet kusht për ruajtjen, zhvillimin dhe pasurimin e Identitetit kombëtar shqiptar në Bashkimin Evropian.
38.
Në kohën, në shoqërinë e në qytetërimin siç janë koha, shoqëria dhe qytetërimi i përtashëm është me rëndësi të dihet e të çmohet mendimi shumë domethënës i shkrimtarit të madh gjerman, Gëte, i shprehur shkurt: “Në disa kohë, për shkrime (për mendime e për vendime) karakteri është shumë më i rëndësishëm sesa talenti”.
39.
Disa njerëz i njohim, por kurrë nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Arsyeja është e thjeshtë. Na bëhen të pakuptueshëm me disa mendime të tyre. Një prej mendimeve të këtilla është mendimi për përkushtimin ndaj Evropës i quajtur evropianizmi. Evropianizmi i disa prej tyre, mjerisht, nuk bazohet në dashurinë ndaj Evropës por në urrejtjen dhe në përbuzjen e Lindjes, sidomos në urrejtjen dhe në përbuzjen e fesë islame. Le t’i mëshirojmë evropianistët e tillë të rrejshëm.
Përkushtimin ndaj Evropës disa nga ata tani kanë filluar ta plotësojnë e disa të tjerë ta ndërrojnë me Amerikën e amerikanizmin. Ata nuk e adhurojnë amerikanizmin për shkak të arriturave e vlerave të mëdha të SHBA-ve, për shkak të qytetërimit, kulturës, demokracisë liberale, shkencës me të cilën i sollën fryte të mëdha njerëzimit, por për shkak tjetër: për shkak se amerikanizmi, thonë, është më koniunktural, më i leverdishëm sesa evropianizmi.
40.
Politikani që nuk sheh përtej kthesës së parë dhe politikani që nuk e di se si do të jetë shteti, populli, kombi i tij pas njëzet vjetëve nuk kanë të drejtë etike të merren me politikë dhe të jenë zyrtarë shtetërorë. Ky është mësimi politik që Evropa ia ka dhuruar me kohë Botës.
Fragmente nga libri testamentar që do të botohet me titullin “Alfabeti i kulturës demokratike”.

Akademik Rexhep Qosja

Exit mobile version