Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Alepo, 2 milion qytetarë mbeten pa ujë

Alepo, 2 milion qytetarë mbeten pa ujë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se si pasojë e rinisjes së bombardimeve në qytetin sirian të Alepos, afro dy milionë persona kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Zëdhënësit e OKB-së kanë komunikuar se sulmet e ndërsjellta mes qeverisë dhe rebelëve që mbështeten nga aleatët e tyre, kanë bërë që ujësjellësit të dëmtohen dhe në kushtet kur ka ende përplasje të armatosura, riparimi i tyre është i pamundur.

Në këto kushte qytetarët kanë nisur që të konsumojnë ujë të ndenjur ose të papastër, i cili sipas ekspertëve përbën një rrezik madhor për prekjen e tyre nga sëmundje të rrezikshme.

Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka bërë edhe njëherë thirrje ShBA dhe Rusisë që të përdorin influencën e tyre në mënyrë që të ketë sërish një armëpushim, me qëllim që t’u vihet në ndihmë banorëve, transmeton OraNews.

Këta të fundit që prej pesë vitesh e gjysmë kanë mbetur të bllokuar në kushte ekstreme, me mungesa të theksuara jo vetëm të ujit të pijshëm, por edhe të ushqimit, medikamenteve e trajtimit shëndetsor. Sekretari amerikan John Kerry, si dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, arritën që të firmosin një marrëveshje armëpushimi në Gjenevë, e cila nuk u respektua.

Palët hodhën akuza të ndërsjellta duke akuzuar për mos-respektim të akordit. Aktualisht po bëhen përpjekje për të ulur sërish armët, ndonëse diçka e tillë duket thuajse e pamundur.

 

Exit mobile version