Njëherë Çerçili në shaka ka thënë se “ai që në moshën rinore nuk është i majtë, s’ka zemër, por nëse me atë bindje vazhdon edhe në moshën e pjekur, ai s’ka tru”! Duket se te ne ndonjëherë mungojnë të dyja. Drama që ka shkaktuar udhëheqja kosovare në rajon, duke hyrë në truqet serbe, bën me dije se disa do persona kyçë ose s’kanë zemër ose s’kanë tru!
Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar
Një analist kosovar shkroi kështu: “Shkoi kryeministri Kurti që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, por doli se ai duhej t’i normalizojë marrëdhëniet me SHBA-në. Kurse pas disa ditësh doli se ai do duhej t’i normalizojë marrëdhëniet me vetveten!”.
Por, edhe amerikanëve, të cilët shkuan t’i normalizojnë e marrëdhëniet me Serbinë, u doli se së pari duhet t’i përmirësojnë marrëdhëniet me Kosovën! Ndërkaq Serbia, qëmoti e ka kuptuar se duhet t’i afrojë marrëdhëniet me SHBA-në. Njëherazi gjeopolitika e kërkon që SHBA-ja të afrohet edhe me shtetin serb dhe është normale që dinamika e raporteve Serbi-SHBA të ndryshojë pjesërisht edhe sa i përket orientimit të politikës së jashtme serbe. Nuk duhet të hamendemi se Serbia tani e ka bindur faktorin perëndimor për orientimin e saj drejt Perëndimit dhe ky është sinjal pozitiv se shteti serb ka njëmend të afrohet më shtetet perëndimore, duke parë që në vazhdimësi Rusia jo vetëm që shkon drejt humbjes në Ukrainë, por ajo si duket shkon drejtë fashizmit, ndoshta edhe luftës civile. Ajo që ndodhi me organizatën fashiste dhe kriminale “Wagner” është vetëm dëshmi për rrethanat atje! Bota, asnjëherë si këto ditë, nuk ka qenë aq e rrezikuar, kur armët nukleare mund të binin në dorë të fashistëve dhe terroristëve!
Politika serbe nuk duhet nënvlerësuar në aspekt të ndërrimit të kursit në politikën e vet të jashtme, pasi rrethanat ndryshojnë, pa marrë parasysh se mund të mendohet që ajo nuk do të ndryshojë shumë sa u përket qëllimeve të saj ndaj Kosovës. Andaj edhe Kosova duhet të tregojë më shumë kreativitet politik, për t‘iu përshtatur rrethanave aktuale sa i përket politikës së jashtme dhe assesi të mos mendojë se Serbia nuk mund të krijojë marrëdhënie miqësie edhe me shtetet që kanë kontribuuar më së shumti në themelimin e shtetit të Kosovës. Kosova nuk e ka luksin që të japë leksione lidhur me politikën e jashtme të SHBA-së ose BE-së, anipse ka të drejtë të shpreh shqetësimet e saj. Por, fatkeqësia e Kosovës qëndron edhe aty se ajo gati as që ka ministër të Punëve të Jashtme!
Njëherë Çerçili në shaka ka thënë se “ai që në moshën rinore nuk është i majtë, s’ka zemër, por nëse me atë bindje vazhdon edhe në moshën e pjekur, ai s’ka tru”! Duket se te ne ndonjëherë mungojnë të dyja. Drama që ka shkaktuar udhëheqja kosovare në rajon, duke hyrë në truqet serbe, bën me dije se disa do persona kyçë ose s’kanë zemër ose s’kanë tru! Madje, edhe satanizimi i një draft-statuti të hartuar nga shteti amë për Zajednicën thith nga ky definicion. Për më shumë, edhe vet komunikimi diplomatik shumë ngjason me ndonjërën ose me të dyja!, Marrëdhëniet s’bën të prishen me të gjithë, madje edhe me shtetin amë! Madje, në një rast, Kurti ka ironizuar me draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të ofruar nga Shqipëria, duke thënë se Rama do duhej ta dorëzojë një draft të tillë në Serbi, duke kërkuar të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pas këtij paralajmërimi, shefi i Qeverisë së Shqipërisë theksoi se nëse Kurti këmbëngul “në të tijën kundër aleatëve, atëherë KFOR-i do të rikthehet në krye të punës.” – përcjellë portali “Nacionale”.
“Nga ana tjetër, nëse deeskalimi nuk ndodh, e humbura e madhe do të jetë Kosova, sepse Serbia me mjeshtri di t’i fshehë manipulimet.”– vazhdon Rama! “Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!” – ka shkruar ai. “E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin do ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon!” – ka shkruar ai.
Para do ditësh, presidenti amerikan Bajden nënshkroi vazhdimin e një Urdhri Ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, ku preket direkt edhe Kosova. Çka është ai urdhër dhe pse ka rëndësi? Para do kohësh, Shtëpia e Bardhë – me anë të një komunikate – njoftoi se presidenti amerikan Bajden e kishte nënshkruar vazhdimin e “emergjencës kombëtare” sa i përket Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për Urdhrin Ekzekutiv 13219, të nënshkruar 22 vjet më parë nga ana e presidentit të asokohshëm Xhorxh Bush, ku thuhet se: “Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim të Ballkanit Perëndimor… vazhdojnë të përbëjnë kërcënim të rrallë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Lidhja ekonomike SHBA-Serbi!
Pjesëmarrja e emisarit të SHBA-së për Ballkani Perëndimor, Gabriel Eskobar, dhe ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Kristofer Hill, në ceremoninë e themelimit të Këshillit Amerikano-Serb të Biznesit në Beograd, është një mesazh i qartë se Serbia hovshëm, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht, lidhet për ambientin e korporatave të SHBA-së, përkundër veprimeve të shumë lobeve amerikane-shqiptare të përçara mes vete në luftën për primat dhe njëmendësi!
Përkundër kësaj, dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, as që mendojnë të themelojnë lidhje politike dhe ekonomike korporatash të fuqishme amerikano-shqiptare, aq sa verbëria e lidhjeve me amerikanët i ka stepur ose me kënaqësi ose me inate shtetërore. Nuk dihet se a ekziston në Shqipëri ose në Kosovë ndonjë organ serioz lidhjesh biznesesh me SHBA-në! Është absurd, madje e dhimbshme, që dy shtetet shqiptare të mos bëjnë lidhje korporatash ekonomike, biznesesh tregtare, politike e kulturore me aleatin më të madh të tyre, SHBA-në! Kështu, shqiptarët mbeten me një farë dashurie të zjarrtë, por pasive, ndaj SHBA-së, kurse në anën tjetër serbët, me anë të lidhjeve aktive e praktike të ftohta e jodashurore, themelojnë Këshillin Amerikano-Serb të Bizneseve për t’ju afruar e për ta përvetësuar SHBA-në!
“Rrezikshmëria më e madhe mund të jetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, se mos ndoshta themelimi i Këshillit Amerikano-Serbe në Beograd do mund të bëhet shumë më i fuqishëm sesa dhjetëra organizata të thata lobiste shqiptare brenda SHBA-së, që duan të dashurojnë në të thatë!” – potencon një ekspert shqiptar.
Kurti me plot autogola!
Kurti ka problem serioz me konturat elementare të ndërtimit dhe veprimit të politikës. Ndonjëherë kapricat, inatet dhe komplekset mbizotërojnë ndaj inteligjencës. E filloj kot me targat, si hap i parë i shtrirjes së sovranitetit, kurse në fakt ky duhej të ishte hapi i fundit. E vazhdoj me rezultatet e zgjedhjeve dhe forcat speciale, duke harruar se kishte nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, të cilën pastaj filloi ta përdhosë i ndikuar nga frika e ngopjes së opozitës keqdashëse dhe dëshpërimit të votuesve të painformuar. Fakt se ngopja e opozitës pas pranimit të Zajednicës nga ana e Kurtit reflektoi si pandërgjegje, pavarësisht se Kurti dha nënshkrim për diçka që e “bombardonte” parlamentin dhe se tani “ai lëpin atë që për vite kishte pështyrë”! Por, një politikan i pjekur nuk do duhej të bjente në grackën e kapricave të opozitës me shumë hipoteka, së paku jo për çështje shumë të ndieshme për shtetin.
Duket se kjo grindje i pëlqeu shumë Vuçiqit, i cili sikur e kuptoi se mund t’ia drejtonte topin Kurtit për të dhënë disa autogola në dëm të Kosovës. Tani, dukshëm është larguar synimi i ashtuquajtur integrim i serbëve në veri dhe e ka minuar atë që pritej ose që të paktën shpresohej – kthimin e tyre kah institucionet e shtetit të Kosovës. Për më keq, ata tani vetëm sa i kanë forcuar edhe më shumë lidhjet me Beogradin, madje duke shfrytëzuar benefite financiare nga Prishtina. Në fakt, ajo popullatë e vogël serbe në veri, qëllimisht e frikësuar nga ana e Beogradit dhe nga veprimet e dëmshme të qeverisë kosovare, vetëm se e largoi marrëveshjen e duhur, e cila po mos të realizohet tani, rrezikon një enklavë afatgjate ndërkombëtare me epilog të panjohur në të ardhmen. Ndërkaq të gjitha analizat tregojnë se për disa vite ajo popullatë do jetë e përgjysmuar, pa potencial objektiv destabilizues. Andaj qasja duhej me një fjalorë të butë e konstruktiv, duke i afruar nga vetja, e jo duke u imponuar edhe më shumë të kërkojnë shpëtim nga Beogradi dhe bandat e nëntokës serbe. Ta mendojmë se sa fuqi do kishin fjalët e Kurtit pas zgjedhjeve lokale, kur ai do të thoshte se i kanë fituar zgjedhjet lokale në veri, por se nuk është mirë për demokracinë kosovare që aty të ushtrohet pushtet me 3% votues! Ajo do e gjunjëzonte politikën serbe, në vend që t’i përgatiste penallti. Për fat të keq, tani iu dha terren grupeve kriminale të instrumentalizuara nga vet Vuçiqi tejet dinak.
Zajednica në esencë s’është asgjë e veçantë!
Për vite, pjesa veriore e Kosovës ka funksionuar “kokë më vete”, formalisht si pjesë e Kosovës, kurse realisht si pjesë e ndikimit serb. Të ashtuquajturat “organe të përkohshme komunale” kanë funksionuar si organe paralele, madje sipas sistemit të Serbisë. Andaj, me arsye parashtrohet pyetja se si është e mundur që gjithë ai investim lokal e ndërkombëtar të rrëzohet si një kullë prej letre, me një shenjë të bërë nga Beogradi? Pse është dashur aq gjatë të vazhdohet kjo “status quo”, që nuk ka prodhuar integrim, madje tani akoma edhe më shumë të provokohet në favor të kundërshtive ndaj Republikës së Kosovës? Këtu kemi një diskrepancë të madhe mes mendjes, realitetit dhe qëllimeve!
Pushteti i kaluar kosovar blinte kohën duke menduar se një ditë ajo nga vetvetja do kthehej nga institucionet e Kosovës, kurse Kurti me gabimet e tij vetëm se i shtoi jetë largimit të tyre për qëllime të vetat elektorale. Ai lëshoi shansin të gjuante penaltinë që iu dha pas zgjedhjeve lokale me bojkot të popullatës serbe. Në fakt, pas shpalljes së rezultateve të “fitoreve” me 2-3% ai duhej të dilte me një deklaratë historike: “Ne nuk duam kryetar komunash pa legjitimitet, sepse atë e kemi përjetuar në lëkurën tonë. Se ajo popullatë është e jona, andaj ne i anulojmë rezultatet e zgjedhjeve. Kjo do ishte një bombë në oborrin e Vuçiqit dhe njëherazi relaksuese për ambientin politik dhe të sigurisë. Bashkësinë ndërkombëtare dukshëm do ta kthente kah vetja dhe do e hapte rrugën drejtë operacionalizimit të Marrëveshjes së Ohrit me Aneksin. Ndoshta Kurti brenda do të humbiste disa pikë momentale, por gjithë politikën e intrigave serbe do e shndërronte në një peshk në të thatë dhe do e fitonte simpatinë e miqve tanë tradicionalë. Pozicionet e Prishtinës dukshëm do fuqizoheshin. Kurti pak do të flijonte që Kosova të profitonte shumë. Tani, e gjithë kjo përkujton në atë fabulën kur njëri e pyet tjetrin se “a hyhet në këtë lumë?”, ndërsa ai i përgjigjet: “po more”. Por, kur i pari u fut në lumë dhe po mbytej duke u ankuar që nuk i treguan se lumi është aq i thellë, i dyti i tha: “po t’i nuk më pyete a dilet!“. Vet fakti se në Aneksin e Marrëveshjes potencohet qartë se statusi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të rregullohet në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, siç janë përcaktuar nga ndërmjetësimi i BE-së, nënkupton se statusi i asaj bashkësie nuk përfshinë ndryshime në Kushtetutën e Kosovës (sepse qartë pranohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese). Pra, Asociacioni do të bëhej pa e ndryshuar Kushtetutën e Kosovës, që në asnjë mendim, qoftë edhe laik, s’mund të kuptohet se Asociacioni do të fitonte atribute autonome, e assesi federale. Fundja, kompetenca të caktuara ekzekutive, madje edhe si obligim, i kanë të gjitha komunat e botës.
Këtu duket se populizmi i kryeministrit qëndroi mbi interesat vitale të Kosovës. Sot të lëvdohet Serbia si palë konstruktive e të sanksionohet Kosova, kjo është si një gjuajtje në zemër të shqiptarisë, në të cilën dikush aq shumë për dekada thirret. Pa dilemë se këtu, po ashtu për pika politike, një pjesë të madhe të fajit mban edhe opozita e Kosovës, e cila pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në vend që ta pëshëndeste atë, ajo iu hodh Kurtit në sulm. Ndërkaq ai në vete është i ngarkuar me plotë dobësi. Njerëzit me frikësime nxiten nga frika për të bërë pikërisht atë nga e cila kanë më shumë frikë. Ralf Emerson-i thotë se për ta mundur frikën gjithmonë bëje atë që ke frikë ta bësh!
Frika dhe idhulli për Çe Gevarën duket se e përcjellin liderin e humbur në kohë dhe ideale boshe. Madje, edhe presidentja sikur jeton me një frikë, kurse ministrja e Punëve të Jashtme është gjynah i vetes e i popullit. Ndokush dikujt duhet t’i thotë mjaft bixhozit me shtetin dhe popullin! Përndryshe do të shndërrohemi në një Gazë palestineze, ku sa herë që liderëve të Hamasit u zbrazen xhepat, shkrepin disa raketa dhe dhjetëra fëmijë pësojnë si viktima! Kryeministri mund të ketë komplekse, hatërmbetje, mospajtime, urrejtje a mosdurime ideologjike ndaj një “perandorie imperialiste”, megjithatë atë luftë të tij ai nuk mund ta bëjë nga pozita e kryeministrit të një vendi që është krijuar dhe që ekzistenca e të cilit varet mu nga vetë ajo perandori. /revistashenja