Alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës ishte i rrejshëm

Alarmi për bombë në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, doli të jetë i rrejshëm.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e këtij aeroporti, Valentina Gara.

“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Sipas Garës, aeroporti është i hapur për fluturime dhe të gjitha do të procedohen si zakonisht.