Sidën (HIV-AIDS) shumë e lidhin me Afrikën, por autoritetet botërore të shëndetësisë japin alarmin për rritjen dramatike të infektimeve në Europën Lindore, gjë që detyroi OKB-në t’u bëjë thirrje shteteve të kontinentit të vjetër t’i kundërvihen bashkërisht përhapjes së sëmundjes.
“Europa ndodhet sot para një sfide më të madhe sesa Afrika, kur është fjala për luftën ndaj HIV-it”, tha zëvendësdrejtori i Programit të OKB-së për Sidën (UNAIDS), Luiz Loures, në Berlin.
Më problematike, situata sipas tij paraqitet në Rusi. Në hapjen e konferencës së ekspertëve, Loures – i cituar nga “Deutsche Welle”, – theksoi se veprimet e ndërmarra në nivel kombëtar nuk e kufizojnë dot problemin.
“Jemi duke përjetuar një katastrofë në rajon”, deklaroi Sylvia Urban, nga kryesia e Aleancës së Aksionit kundër Sidës, në Gjermani.
Llogaritet se, vitin e kaluar në Rusi numri i infeksioneve e kapërceu shifrën e 100 mijë vetëve. Rritja e infeksioneve të reja dhe e rasteve të vdekjeve nga Sida në Europen Lindore dhe në Azinë Qendrore është përkundër tendencës mbarëbotërore dhe progresit të madh të shënuar në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes.
Agencia e OKB-së për Sidën ka përcaktuar prej kohësh objektivin ambicioz, që brenda vitit 2020, 90% e të gjithë personave me HIV të jenë në dijeni të diagnozës, 90% të marrin mjekime antiretrovirale dhe 90% të mjekohen për të mos lejuar aktivizimin e virusit.
HIV-i infekton dhe shkatërron qeliza të sistemit imunitar dhe trupi gradualisht humbet aftësinë për të luftuar infeksionet, që sjellin edhe vdekjen e personit të prekur.