Alarmi i Berlinit: Moska po po përpiqet të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve

Shërbimet inteligjente gjermane japin alarmin se Rusia po përpiqet të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas këtyre shërbimeve, Moska po përdor mediat e influencuara prej saj, duke i servirur opinionit publik fakte të keqinterpretuara, në favor të partive që kanë në program politikë të jashtme miqësore ndaj Rusisë. 
Autoritetet gjermane japin alarmin se Rusia mund të influencojë në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Alarmi jepet nga agjencia e inteligjencës së brëndshme, e njohur ndryshe edhe si Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve Reuters, shefi i kësaj zyre Hans-Georg Maassen akuzoi Moskën se po përpiqet të ushtrojë ndikim në opinionin publik gjerman, duke përhapur përmes internetit informacione të mbështjella me fakte të keqinterpretuara dhe propagandë.
Masen tha se Rusia përdori këtë medotë vitin e kaluar gjatë krizës së refugjatëve. Mediat e ndikuara nga Moska, kryesisht ato në internet keqinterpretonin arsyet dhe qëllimet e ardhjes masive të refugjatëve dhe emigrantëve nga vendet me shumicë myslimane të Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Pikërisht kjo lloj propagande ndikoi në rritjen e përkrahjes popullore në Gjermani për partitë populiste ultrakonservatore me programe kundër emigracionit, siç është “Alternativa për Gjermaninë”, për të cilën është përfolur gjithashtu se merr financime nga Moska. Kjo parti u rendit e treta në shkallë kombëtare në zgjedhjet e fundit për parlamentet rajonale. Një metodë e tillë, sipas shefit të inteligjencës së brëndshme mund të përdoret edhe gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Javën e kaluar, edhe kancelarja Angela Merkel shprehu shqetësimin për rastet e shtuara të sulmeve kibernetike me origjinë nga Rusia, që kanë për qëllim dizinformimin e opinionit publik. Moska është akuzuar edhe më parë se me metoda të tilla ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi republikani Donald Tramp që është në favor të përmirësimit të marrdhënieve me Rusinë. Por edhe në Francë ku po ndikon në rritjen e mbështetjes për ultrakonservatorët e Frontit Kombëtar.
Por zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov i quajti këto akuza, si të pakuptimta për vetë faktin se sistemet ruse janë vetë nën sulm të vazhdueshëm kibernetik.