Alarmante, 16-vjeçarët përdorues të kokainës

Rreth 5000 qytetarë të moshave të ndryshme në vendin tonë janë të varur nga përdorimi i substancave të ndryshme narkotike. Safet Blakaj nga organizata joqeveritare “Labyrinth” thotë se ditëve të fundit shqetësuese është rritja e madhe e përdorimit të kokainës edhe tek të rinjtë e moshës 16-vjeçare, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Konsumimi i kokainës, sidomos të rinjtë e moshës 16-vjeçare, është duke u rritur nga dita në ditë. Aktualisht, më shumë se 5000 qytetarë të moshave të ndryshme janë duke u trajtuar nëpër institucione të ndryshme në vend.

Por, numri real i përdorueseve mund të vlerësohet të jetë më i madh, pasi që një numër jo i vogël i përdorueseve të rinj ende nuk kanë kërkuar trajtim institucional.

Safet Blakaj nga organizata joqeveritare “Labyrinth” thotë se numri zyrtar i përdorueseve të substancave narkotike është rreth 5000. Ai thotë se ditëve të fundit është shumë shqetësuese rritja e madhe e rasteve e të rinjve që kanë filluar t’i lënë substancat më të lehta narkotike dhe të përdorin kokainë.

“Vetëm që nga fillimi këtij viti në qendrën e rehabilitimit në ‘Labyrinth’ kanë kërkuar ndihmë për herë të parë 28 persona, të cilët kanë filluar përdorimin e lëndëve narkotike” ka thënë Blakaj për gazetën “Zëri”.

Ai më tej ka thënë se në qendrën që drejton ai çdo ditë trajtime marrin më shumë se 80 persona.

“Vetëm në Prishtinë, në qendrën tonë, kanë kërkuar ndihmë për herë të parë 28 persona brenda këtij viti. Ndërsa në baza ditore në këtë qendër marrin shërbime dhe konsulta mjekësore rreth 80 persona, të cilët kanë qenë pjesë e përdorimit të lëndëve narkotike. Kohëve të fundit ka rënë përdorimi i heroinës, por që shqetësuese është se është ngritur përdorimi i kokainës”.

Më tutje Blakaj ka bërë të ditur se në krahasim me vitin 2007, ku mosha mesatare e filluesve të përdoruesve të substancave narkotike ka qenë 21-22 vjeç, vitin e kaluar, por edhe sivjet, sipas tij, është shqetësuese grupmosha që po fillon me përdorimin e këtyre lëndëve, e cila është duke rënë.

“Këtyre viteve mosha që po fillon me përdorimin e drogës është 16-vjeçare”, ka treguar Blakaj.