Për shkak të denoncimeve për bombë në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, janë evakuuar mbi 3.500 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të agjencive ruse të lajmeve, të bazuara në burimet e sigurisë, më shumë se 3.500 persona janë evakuuar për shkak të denoncimeve nga burime të panjohura për bombë në qendrën tregtare “GUM” dhe hotelin “Metropol”.
Pas denoncimeve të reja për më shumë se 20 ndërtesa, në mesin e të cilave edhe qendrat tregtare, stacionet e trenit, universitetet dhe hotelet, ka filluar evakuimi i mijëra personave nga ndërtesat në fjalë, të cilat ndodhen në pjesë të ndryshme të qytetit.
Që nga 11 shtatori, janë evakuuar rreth 1.4 milionë persona nga rajone të ndryshme të Rusisë për shkak të denoncimeve për bombë përmes telefonit. Të gjitha denoncimet deri më sot ishin të pabaza, ndërkaq që nga mesi i tetorit e deri më tani kishte një rënie në numrin e denoncimeve.