Alarm për bombë në disa shkolla në rajonin e Gjilanit

Alarm për bombë ka pasur mëngjesin e sotëm në disa shkolla në rajonin e Gjilanit.

Saktësisht alarm pati në Novobërdë, Kamenicë dhe në Ranillug.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani deklaroi se informata për bombë është pranuar përmes adresave zyrtare të shkollave.

“Ju njoftojmë se nga orë të hershme të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ka pranuar informata nga përgjegjësit e disa shkollave të komunës së Novobërdës, Kamenicës dhe Ranillugut, se përmes Email adresave zyrtare të këtyre shkollave kanë pranuar informatë se ka të vendosura bomba (mjet shpërthyes)”, ka thënë ai.

Po ashtu Hashani tha se për momentin nuk ka vend për panik.

“Policai e Kosovës dhe njësitet e IEDD, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u hetuar rastet veç e veç”, theksoi Hashani.

Ndryshe një alarm i tillë është dhënë sot edhe në veri të Mitrovicës.

Siç është raportuar alarm për bombë pati në disa shkolla në veri.

Alarme të ngjashme muajve të fundit pati edhe në Prishtinë, tek Universiteti i Prishtinës (saktësisht tek Rektorati), në stacionin e autobusëve dhe në disa shkolla.