Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, tha se bashkëpunimi i vendit të tij me Egjiptin ka pasur rezultate efektive në çështjen palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për televizionin Al Araby me bazë në Londër, Al-Thani tha se marrëdhëniet midis Egjiptit dhe Katarit kishin kaluar disa periudha të tensionuara, por që kontaktet mbetën të hapura.
Ai theksoi se, pasi filluan sulmet izraelite në Gaza, ata vendosën koordinim me Egjiptin për armëpushimin.
Siç tha ai, bashkëpunimi midis dy vendeve në këtë drejtim kishte rezultate efektive.
Duke potencuar se armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit nuk përfshin asnjë lëshim, ministri i Jashtëm i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani tha se një zgjidhje e drejtë e çështjes palestineze duhet të bazohet në Nismën Arabe të Paqes dhe rezolutat ndërkombëtare të lidhura me të.
Ai gjithashtu preku ndihmën e Katarit për Gazën, duke theksuar se projektet e tyre në Rripin e Gazës janë përqendruar në ndërtimin e shtëpive, infrastrukturës, rrugëve, shkollave dhe trajtimin e të plagosurve.
Al-Thani shtoi se deri më tani ata nuk kanë marrë ndonjë indikacion se Izraeli dëshiron të hyjë në dialog për paqen.
Sulmet izraelite të cilat filluan më 10 maj, u ndaluan në 21 maj në orën 2:00 pas mesnate, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit të arritur me Hamasin.
Nga sulmet izraelite në Gaza jetën humbën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, ndërsa u plagosën 1.948 të tjerë. /aa