Kanali i lajmeve Al Jazeera denoncoi vendimin e Autoritetit Palestinez për t’ia “ngrirë” punën në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e quajtur këtë një veprim që është “në përputhje me veprimet e okupuesit (izraelit) kundër stafit të saj”, transmeotn Anadolu.
Në një deklaratë, Rrjeti Mediatik Al Jazeera tha se vendimi është “një përpjekje për të fshehur të vërtetën rreth ngjarjeve në territoret e pushtuara, veçanërisht atë që po ndodh në Jenin dhe kampet e saj”.
Forcat palestineze të sigurisë filluan një operacion sigurie gati një muaj më parë kundër atyre që ata i quajtën “të jashtëligjshëm” në kampin e refugjatëve në Jenin. Operacioni ka bërë që disa fraksione palestineze, duke përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik, të akuzojnë Autoritetin Palestinez në Ramallah për shënjestrimin e luftëtarëve të rezistencës në kamp.
Al Jazeera tha se vendimi i Autoritetit Palestinez erdhi pas një “fushate të vazhdueshme të nxitjes dhe frikësimit nga partitë e lidhura me Autoritetin Palestinez” kundër gazetarëve të Al Jazeera-s.
Rrjeti mediatik e mbajti Autoritetin Palestinez “plotësisht përgjegjës për sigurinë e të gjithë punonjësve të tij në Bregun Perëndimor” dhe i kërkoi atij “të tërheqë menjëherë dhe anulojë” vendimin.
Të martën vonë, një komitet ministror i Autoritetit Palestinez theksoi se pezullimi do të mbetet në fuqi derisa Al Jazeera “të jetë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret palestineze”.
Ky veprim erdhi pas disa fushatave publike nga zyrtarë të Autoritetit Palestinez dhe grupe të lidhura në mediat sociale të cilat kritikonin raportimin e Al Jazeera-s për përleshjet e fundit midis forcave palestineze të sigurisë dhe grupeve të rezistencës në kampin e refugjatëve Jenin.
Majin e kaluar, qeveria izraelite miratoi një propozim nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Komunikimeve Shlomo Karhi, për mbylljen e zyrave të Al Jazeera-s në të gjithë Izraelin. Vendimi u miratua menjëherë në bazë të të ashtuquajturit “Ligji i Al Jazeera-s”.