Rrjeti satelitor i Katarit, “Al Jazeera” është përballur me një sulm të fortë kibernetik, por mbetet sërish funksional, thanë burime pranë kompanisë mediatike për gazeten britanike “The Guardian”.
“Po ndeshemi me një ndërhyrje të ‘hacker’-ave, por jemi duke u kundërpërgjigjur”, citohet të ketë thënë një drejtues i lartë i saj, emri i të cilit nuk bëhet publik.
Disa orë më vonë, televizioni shtetëror i Katarit njoftoi se do të mbyllte përkohësisht faqen e tij “online” për arsye sigurie.
Incidenti vjen në kohën kur Katari përballet me fushatën e paprecedentë të kryesuar nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini, për shkëputjen e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike me të, nën argumentin se shteti i gjirit ka lidhje me “Vëllazërinë Myslimane”, Hamasin dhe Iranin.
Që të 4-ta këto vende tërhoqën ambasadorët e tyre nga Doha, e kulmi i krizës mbërriti të enjten, kur Emiratet e çuan ngërçin një hap më tej, duke refuzuar të dërgonin postën në Katar. Ky i fundit ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së fqinjëve, e thotë se izolimi i tij do të destabilizojë të gjithë rajonin.
Gjermania bën thirrje që kriza e Katarit të zgjidhet në rrugë diplomatike.
“Jemi të bindur se tani është momenti i diplomacisë, se duhet të flasim me njëri-tjetrin. Bashkë me kolegët tanë amerikanë, por mbi të gjithë ata në rajon, ne duhet të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të hiqen bllokadat ajrore e detare, e kjo situatë të marrë fund”, tha Sigmar Gabriel, ministër i Jashtëm gjerman.
Nismës së Arabisë Saudite iu bashkuan edhe Jemeni e Maldivet, ndërsa Katari pretendon se komentet “online” që nxitën këtë armiqësi ishin rrjedhojë e një sulmi kibernetik.