Al-Azhari i Egjiptit kundërshton vendbanimet e reja izraelite

Universiteti Al-Azhar i Egjiptit, qendra më e madhe universitare e muslimanëve sunitë, ka denoncuar vendimin e Izraelit për ndërtimin e njësive të reja të vendbanimeve kolone në Kudsin Lindor të okupuar, duke e quajtur atë “terrorizëm sionist”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, institucioni i kërkoi “bashkësisë ndërkombëtare të marrë një qëndrim vendimtar për të ndaluar politikën e vendbanimeve sioniste në tokat palestineze”.

Ai kundërshtoi vendimin për ndërtimin e njësive të reja të vendbanimeve kolone “me qëllim ndryshimin e realitetit demografik dhe ndërhyrjen në identitetin palestinez”.

Al-Azhar bëri thirrje për një “qëndrim vendimtar kundër terrorizmit sionist, i cili kërkon që bashkësia ndërkombëtare të përmbushë përgjegjësitë e saj ligjore dhe morale ndaj këtyre veprimeve të padrejta”.

Izraeli ka në plan të ndërtojë 1.257 njësi të tjera ilegale në vendbanimin izraelit Givat Hamatos në Kudsin Lindor të okupuar, sipas mediave lokale.

Izraeli pushtoi territoret palestineze, duke përfshirë Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës në vitin 1967. Palestinezët kërkojnë territoret e tyre për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.