Akullorja e parë në botë e bërë me plastikë

E realizuar në Londër, ideja për të mund të nxisë një debat për të ardhmen e ushqimit

Ushqimi i parë në botë i bërë nga mbeturinat plastike  është akullorja me vanilje. E realizuar në Londër, ideja për të bërë diçka të tillë mund të nxisë një debat të nxehtë për të ardhmen e ushqimit dhe krizën e ndotjes plastike.

Akullorja prej plastikës, është cilësuar si një instalacion arti, i quajtur ‘Guilty Flavours’ nga artistja dhe stilistja Eleanora Ortolani, 27 vjeç, që synon të sfidojë mënyrën se si mendojmë për mbetjet plastike dhe atë që jemi dhe nuk jemi të përgatitur për të ngrënë.


Eleanora Ortolani: Guilty Flavours është ajo që unë besoj se është mostra e parë e akullores e bërë nga mbeturinat plastike. Në fakt, vanilina që përmban akullorja është ajo nga e cila vjen, e njëjta plastikë që mund të gjejmë në shishe plastike. Dhe këtë e bëra duke bashkëpunuar me bakteret dhe enzimat që në fakt evoluan natyrshëm për të tretur plastikën. Ky projekt filloi nga një zhgënjim shumë i madh për mënyrën sesi sistemi i riciklimit të plastikës nuk mund të vazhdojë dhe gjithashtu se pavarësisht të gjitha informacioneve rreth plastikës, prodhimi i saj nuk po zvogëlohet, në fakt po rritet. Është thjesht shumë zhgënjyese të shohësh se sa shumë po përkeqësojmë mjedisin.

Procesi, i zhvilluar nga shkencëtarët në Edinburg, shfrytëzon fuqinë metabolike të baktereve dhe enzimave për t’u sjellë si fabrika miqësore me mjedisin për të tretur polietilen tereftalat (PET) që është rrëshirë polimer termoplastik dhe përdoret në fibra për veshje, dhe për ta kthyer atë në vanilinë.

Plastika është bërë nga një varg molekulash të lidhura së bashku në ato që njihen si polimere. Joanna Sadler, një bioteknologe në Universitetin e Edinburgut i theu ato lidhje me një mikrob, duke e lënë atë me molekula që nuk ishin më plastike. Ajo u përpunua lehtësisht nga një bakter tjetër në vanilinë.

Joanna Sdaler: Sapo të thyeni plastikën, pasi ta zbërtheni në blloqet e saj ndërtuese, ne i quajmë ato monomere, ju mund t’i ktheni ato në shumë e shumë gjëra të ndryshme. Jemi pak të kufizuar për sa i përket kimikateve, mjeteve biologjike që kemi në dispozicion për të modifikuar ato monomere. Pra, në këtë rast mund të bëjmë vanilje, mund të bëjmë gjithashtu molekula të tjera të ndryshme dhe se çfarë janë ato, diktohet shumë nga këto enzima që bëjnë reaksione të caktuara kimike.

Hulumtimi i Sadler, i botuar në Journal Biochemist në Dhjetor 2021, fokusohet në degradimin dhe riciklimin e plastikës dhe përdorimin e tij si lëndë ushqyese për rritjen e mikrobeve.

Akullorja është ende një projekt kërkimor dhe aktualisht jo për konsum njerëzor. Ortolani, e cila është nga Verona, shprehet se Guilty Flavors u frymëzua nga zhgënjimi i saj me dështimin e sistemit të riciklimit për të ndaluar ndotjen e mjedisit nga plastika dhe se ai është mbyllur për të nxjerrë në pah atë që ajo thotë se është një krizë globale e ushqimit.

Eleoanora Ortolani: Mendoj se është interesante dhe e nevojshme të fillojmë një debat, por gjithashtu besoj se duhet ta eksplorojmë këtë më shumë. Është shumë mbresëlënëse. Kur fillova këtë projekt ishte thjesht shumë fantashkencë dhe më interesonte vetëm ana kritike, thjesht duke shtyrë kufijtë dhe duke u përpjekur për të eksploruar atë që në të vërtetë është e mundur dhe çfarë nuk është. Por ishte tashmë e qartë se disa specie e bënë këtë, disa specie po hanë plastikë dhe disa shkencëtarë tashmë po e shqyrtojnë këtë. Pra, pse jo? Mendoj ne vërtet duhet ta shqyrtojmë këtë çështje.

Vanilja, e quajtur ndonjëherë ‘ari i gjelbër’, është erëza e dytë më e shtrenjtë në botë pas shafranit. Joanna shprehet se ky lloj eksperimenti është më së shumti si një mesazh tek njerëzit.

Joanna Sdaler: Unë mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme që ne ta përcjellim atë mesazh tek publiku, sepse shumë nga komentet që kam pasur kanë qenë shqetësimi rreth kësaj ideje për të ngrënë diçka që vjen nga plastika. Madje më kishin dërguar një email duke më thënë se është e papërgjegjshme të inkurajosh njerëzit të hanë plastikë. Dhe mendoj se ka një ide të gabuar rreth asaj që është në të vërtetë deri në fund të procesit, që nuk është më plastike. Por mendoj si pjesë është me të vërtetë e rëndësishme që ne të marrim anën e sigurisë, vërtet seriozisht dhe ne e bëjmë shumë të qartë se kjo duhet të kalojë saktësisht në të njëjtat procese rregullatore dhe procese standarde ushqimore si çdo përbërës tjetër ushqimor dhe vetëm pasi t’i ketë kaluar të gjithë ata do të ishte një produkt  konsumi.

Raporti më i fundit i Fondacionit Ellen MacArthur, Angazhimi Global 2022 , tregon se përdorimi i plastikës është rikthyer në nivelet e vitit 2018 mes qindra kompanive që janë regjistruar për të ulur përdorimin e tyre të plastikës me 19% deri në vitin 2025.

Vendet mund të reduktojnë ndotjen plastike me 80% deri në vitin 2040 duke përdorur teknologjitë ekzistuese dhe duke bërë ndryshime të mëdha politikash. Plastika me përdorim të vetëm është shfaqur si një nga kërcënimet mjedisore më urgjente në botë, me sasi të mëdha mbetjesh të groposura ose të hedhura e të patrajtuara në lumenj dhe oqeane. Procesi i prodhimit është gjithashtu një burim kryesor i gazit serrë që ngroh klimën.