Ballina Jeta Fitnes Aktiviteti fizik mbron nga sëmundjet

Aktiviteti fizik mbron nga sëmundjet

Njerëzit të cilët bëjnë një jetë të shëndetshme dhe që rregullisht përfshihen në ushtrime jo shumë të vështira kanë më pak mundësi të zhvillojnë sëmundje kronike, si p.sh. diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet tumorale ose sëmundjet mendore

Aktiviteti fizik ka shumë efekte përfituese në drejtim të shëndetit, pavarësisht nga mosha. Njerëzit të cilët bëjnë një jetë të shëndetshme dhe që rregullisht përfshihen në ushtrime jo shumë të vështira kanë më pak mundësi të zhvillojnë sëmundje kronike, si p.sh. diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet tumorale ose sëmundjet mendore.

Gjithashtu, personat me aktivitet të rregullt fizik ditor mund të ruajnë peshën e tyre trupore në normat e lejuara po të krahasohen me personat që janë më pak aktivë.

Mënyra aktuale e jetesës, e ka kufizuar aktivitetin fizik si pasojë e rritjes së përdorimit të makinave, shikimit të televizorit dhe aktivitetit me të pakët në shtëpi për shkak të modernizimit të aparaturave elektrike. Kësaj i shtohen edhe zakone të tjera të mënyrës së jetesës (si pirja e duhanit), shtimi i peshës, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut ndaj sëmundjeve kronike.

Këshillat

Është tepër e rëndësishme që dieta e shëndetshme të kombinohet me aktivitet fizik ditor të nevojshëm, për te pakësuar jetën sedentare, që është një faktor rreziku i shpeshtë për shumë sëmundje kronike.

Rekomandohen ushtrimet e përditshme. Njerëzit të cilët kanë përfshirë në rutinën e mënyrës së tyre të jetesës, aktivitetin fizik, kanë përmirësime të mirëqenies së tyre fiziologjike dhe psikologjike.

Organizata Botërore e Shëndetit, referon se së paku 30 minuta të aktivitetit mesatar fizik të ndërmarra gjatë 5 ditëve të javës, do të pakësojnë rrezikun nga sëmundjet e zëmrës, obeziteti dhe diabeti deri në 50% dhe do të zvogëlojnë në mënyrë të dukshme sëmundjet e tensionit të lartë të gjakut dhe pasojat psikologjike të jetës sedentare, si: stresi, ankthi, depresioni etj.

Ushtrimet e rekomanduara

Aktiviteti fizik, nënkupton një sjellje që përfshin lëvizjen e të gjithë muskulaturës për aktivitete të ndryshme të kryera gjatë ditës. Ushtrime, nënkupton një grup aktivitetesh fizike që me lëvizjet që kryhen përmirësojnë veprimtarinë e sistemit muskulor dhe atij të zemrës e frymëmarrjes. Ushtrimet kryhen me intensitet të ndryshëm.

Aktivitet fizik i moderuar –(Kërkon sasi të moderuar të efortit që shpejton ritmin e zemrës) dhe kjo përfshin: ecje e shpejtë, vallëzim, punë në kopsht, punë në shtëpi, gjueti dhe vreshtari, përfshirje në lojëra dhe sporte me fëmijë, mbajtja/lëvizja e ngarkesave/ peshave mesatarisht te/ 20 kg.

Ndërsa aktivitet fizik i fuqishëm/energjik- (Kërkon sasi të madhe sforcimi dhe shkakton frymëmarrje të shpejtë dhe rritje të konsiderueshme të ritmit të zemrës) dhe përfshin; vrap, ecje/ngjitje e shpejtë në lartësi, ecje e shpejtë me biçikletë, aerobi, not i shpejtë, sporte të ndryshme, futboll, volejboll, basketboll, etj. si dhe mbajtje/lëvizje e peshave të rënda >20 kg.

Rekomandime për aktivitetin fizik për moshën 3-6 vjeç

– Një minimum prej 60 minuta në ditë aktivitet fizik me intensitet mesatar në kohë të caktuar të vetme, ose në më shumë se një periudhë kohë të ndarë gjatë ditës prej 10 minutash secili

– Aktivitete që tërheqin dhe zbavitin e janë të përshtatshme për fëmijët e moshës parashkollore

– Mundësi lëvizjeje aktive për fëmijët duke qëndruar së bashku me të rriturit

– Aktivitete të ndryshme gjatë javës

Rekomandime për aktivitetin fizik për moshat 6-18 vjeç

60 minuta aktivitet mesatar deri në aktivitet fizik intensiv çdo ditë të javës që përfshin aktivitete të ndryshme

Përfitimet –Zhvillim i sistemit të shëndetshëm muskuloskeletal (kockat, muskujt dhe artikulacionet)

-Zhvillim i sistemit të shëndetshëm kardiovaskular (zemër dhe mushkëri)

– Zhvillim neuromuskulor (koordinim dhe kontroll i lëvizjeve)

-Mbajtja e masës së peshës

Rekomandime për Aktivitetin fizik për moshat 18-65 vjeç

-30 minuta aktivitet fizik i moderuar gjatë pesë ditëve të javës;

20 minuta aktivitet fizik intensiv gjatë 3 ditëve të javës;

Përfitimet -Një kombinim i të dyja aktiviteteve të mësipërme pakëson rrezikun ndaj sëmundjeve kronike si; sëmundje kardiovaskulare, hemorragji cerebrale, diabeti tip II, kancer i zorrës së trashë, kancer i gjirit.

Rekomandime për aktivitet fizik për mosha + 65 vjeç

-30 minuta aktivitet fizik i moderuar gjatë pesë ditëve të javës; 20 minuta aktivitet fizik intensiv gjatë 3 ditëve të javës.

Përfitimet -Një kombinim i të dyja aktiviteteve. Aktiviteti fizik në këtë rast përfshin të ecurinë, notin, kërcimin, ngjitjen në lartësi, përdorimin e biçikletës, punë në kopsht./Mesazhi/

Exit mobile version