Finale para finales, mund të përshkruhet dueli që do të luhet sonte në Madrid të Spanjës. Një mbrëmje tjetër spektakolare na pret në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Real Madridit dhe Bayern Munchenit.
Pas barazimit 2:2 javën e shkuar në Gjermani, titanët e futbollit të Evropës do të përballen në stadiumin “Santiago Bernabeu” prej orës 21:00.
Si Reali ashtu edhe Bayerni, janë të vendosur për të prerë biletën e fundit për finalen e madhe të Championsit që luhet më 1 qershor në Londër.
Këtë herë, Reali do ta ketë përkrahjen e madhe të shikuesve, ndërsa Bayerni do të përpiqet ta eliminoj klubin spanjoll në fazën gjysmëfinale.
Krahas titullit të kampionit në La Liga që tashmë e ka siguruar, Real Madridi po synon edhe trofeun e 15-të evropian.
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti pret një paraqitje më të mirë të ekipit të tij sesa në ndeshjen e parë në “Allianz Arena”. Sipas tij, një paraqitje tjetër të zbehtë nuk garanton kualifikimi në finalen e 1 qershorit.
Në anën tjetër, Bayerni e ka opsion vetëm Ligën e Kampionëve për ta mbyllur edicionin me trofe pas dështimit në Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë.
Bayerni është në kërkim të trofeut të shtatë evropian dhe në ndeshjen e kthimit do të jetë i kompletuar në mbrojtje pasi është rikthyer holandezi Matthijs De Ligt.
Në finalen e Ligës së Kampionëve, tashmë është kualifikuar Borussia Dormundi që në gjysmëfinale e eliminoi PSG-në.