Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet G.V., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se hetimet kanë vërtetuar se gjatë luftës në Kosovë, gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktime të nacionalitetit shqiptar.
Në njoftim thuhet se aktakuzë është ngritur në mungesë.
“Në mbështetje të neneve 234 par.2 dhe 303 par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri G.V. është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë”, thuhet në njoftim.
Kjo çështje penale thuhet se i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.