Aktakuzë ndaj pesë personave për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.

Aktakuzë është ngritur ndaj D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J. të cilët kishin kryer vrasje ndaj shqiptarëve në rëgjonin e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë të pandehurin kishin marrë pjesë në vrasjen e 8 civilëve shqiptarë ku njërin nga viktimat e kishin djegur të gjallë.

“Për pesë të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë (8) civileve shqiptarë, e konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, andaj, – më këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale,Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, për të pandehurit M.Sh dhe N.S., ekziston dyshimi i bazuar mirë, se gjatë zbatimit të urdhër kontrolleve, janë gjetur në pronësi dhe posedim armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me çka të njëjtit kanë kryer veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).