Aktakuzë kundër tre personave për krime lufte ndaj popullsisë civile në Kosovë
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj të pandehurve D.G., Ž.C. dhe Z.Š., në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special.
Akuzat ndaj D.G.
Sipas aktakuzës, D.G., në cilësinë e personit zyrtar me gradë Kolonel dhe Shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjilan gjatë periudhës janar-korrik 1999, dyshohet se ka pasur dijeni ose është dashur të ketë dijeni për veprime të rënda kriminale të kryera ndaj popullatës civile shqiptare.
Veprimet përfshijnë vrasje, plagosje, djegie për së gjalli, marrje peng, tortura fizike dhe psikike, plaçkitje dhe dëbim të popullatës civile në disa fshatra të Gjilanit.
Ai akuzohet për mosveprim për të parandaluar ose raportuar këto krime, duke kryer kështu veprën penale të Krimeve të Luftës Kundër Popullatës Civile, sipas nenit 142 të LP të RSFJ-së.
Akuzat ndaj Ž.C.
Ž.C. akuzohet se, gjatë luftës në Kosovë, në rajonin e Gjilanit, ka vepruar si pjesë e një grupi kriminal të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara.
Ky grup, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka kryer vrasjen e tetë civilëve shqiptarë, përfshirë djegien për së gjalli të njërit prej tyre, si dhe ka marrë pjesë në tortura, plaçkitje dhe dëbim të popullatës civile.
Për këto veprime, ai akuzohet për Krime Lufte Kundër Popullatës Civile, sipas nenit 142 dhe nenit 22 të LP të RSFJ-së.
Neglizhenca mjekësore e Ž.C.
Ž.C., gjithashtu, akuzohet se në cilësinë e mjekut të Spitalit Regjional në Gjilan, më 5 prill 1999, nuk i ka ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore viktimës N.R., i plagosur nga grupi kriminal.
Sipas aktakuzës, ai e urdhëroi viktimën të largohej nga spitali për shkak të përkatësisë së tij shqiptare, duke rezultuar në vdekjen e viktimës në të njëjtën ditë.
Për këtë, ai akuzohet për Krime Lufte Kundër Popullatës Civile, sipas nenit 142 të LP të RSFJ-së.
Prokuroria ka kërkuar gjykim në mungesë për të pandehurit, duke theksuar rëndësinë e ndëshkimit të krimeve të luftës dhe respektimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.