Aktakuzë kundër pesë zyrtarëve komunal në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave B.H., E.B., F.I., B.B. dhe A.O. pasi që dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 – 2 nën paragrafi 2.2 lidhur me nenin 31 të KP-ës, për veprën penale “uzurpimi i pa ligjshëm i pronës së paluajtshëm” nga neni 332 paragrafi 1 të KP-ës si dhe për veprën penale “vetëgjyqësia” nga neni 418 paragrafi 1 të KP-ës.

“Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë B.H., në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, i akuzuari i dytë E.B., dhe i tretë F.I., në cilësinë e inspektorëve komunal, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin me dashje detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për A.O., dhe B.B.

Në atë mënyrë që i akuzuari parë B.H., nuk ekzekuton konkluzionin e datës 12.12.2016 kundër B.B., dhe A.O., të cilët kishin vendosur objekte të përkohshme në pronën shoqërore me të drejtë shfrytëzimi të Agjencionit pyjor të Kosovës, ndërsa i akuzuari i dytë E.B., dhe i tretë F.I., përveç procesverbaleve dhe vendimeve të inspektimit që kanë lëshuar prej vitit 2013, kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit për ekzekutim të detyrueshëm”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 – 2 nën paragrafi 2.2 lidhur me nenin 31 të KP-ës.
Ndërkaq, i akuzuari i katërt B.B., është akuzuar për veprën penale “uzurpimi i pa ligjshëm i pronës së paluajtshëm” nga neni 332 paragrafi 1 të KP-ës.

Se i akuzuari i pestë A.O., akuzohet për veprën penale “vetëgjyqësia” nga neni 418 paragrafi 1 të KP-ës.