Nuk pritet të ketë aktakuza të ngritura nga Specialja, deri të paktën pas Vitit të Ri.
Burime të portalit klankosova.tv kanë thënë se institucionet që do të hetojnë dhe gjykojnë krimet e pretenduara të luftës, ato kundër njerëzimit dhe krimet tjera të kryera në Kosovës, nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, do të presin vitin 2018 për të lëshuar aktakuzat e para.
Arsyetimi për këtë thuhet të jenë dy palë procese zgjedhore që mund të ndodhin në vend, sivjet.
Vendi është pranë një palë zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me gjasë mund të mbahen në qershor, ndërsa cikli i rregullt i zgjedhjeve lokale është në nëntor.
Duke pasur parasysh këto dy palë zhvillime të rëndësishme, është diskutuar mundësia e mosndikimit në këto procese, siç edhe mund të bëhet, në rast se ka aktakuza.
“Ato do të publikohen tek vitin e ardhshëm, kur Kosova të ketë një qetësi institucionale, pasi të jenë kryer dy palë zgjedhjet dhe instaluar e stabilizuar pushtetet në nivel nacional dhe lokal”, ka thënë për klankosova.tv burimi në fjalë.