Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në Ministrinë e Mjedisit janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “shpëlarje parash” dhe “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare”.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpërlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria ka thënë se pas përfundimit të aksionit do të ketë njoftim.
Ndërkohë që zëvendëssekretari i Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, është arrestuar.
Policia e Kosovës është duke zhvilluar aksion në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka mësuar KOHA.
Bëhet e ditur se hetimet po kryhen nga njësiti kundër krimeve ekonomike në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Bëhet fjalë për aksion që lidhet me hetime për ambalazhim të ujit.
Në objektin e Ministrisë është sjellë edhe zëvendëssekretari i Përgjithshëm i MMPHI-së, Izedin Bytyqi.