Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Aksidentohet presidenti serb Aleksandar Vuçiç

Aksidentohet presidenti serb Aleksandar Vuçiç

Makina e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, është përfshirë në një aksident rrugor. Një automjet me 3 persona në bord ka goditur pikërisht makinën me të cilën udhëtonte presidenti i Serbisë.

Mediet në Beograd bëjnë të ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 08:20 të mëngjesit të së shtunës, kur autokolona që shoqëronte presidentin Vuçiç ishte duke kaluar pranë një rrethrrotullimi në qendër të Beogradit, e aty është goditur nga një automjet tip “Bentley” me targa spanjolle.

Makina e drejtuar nga Luka R. ka qenë duke ecur me shpejtësi të madhe dhe ka goditur makinën me të cilën udhëtonte presidenti Vuçiç, për t’u ndaluar më pas nga një prej makinave shoqëruese të eskortës.

Tre personat që ishin në makinë janë arrestuar dhe mësohet se ata nuk janë emra të panjohur për policinë, pasi kanë kryer krime të ndryshme. Po ashtu, nga analizat e para rezulton se ata kishin konsumuar lëndë narkotike.

Deri më tani nuk ka dyshime të ngritura lidhur me një sulm të organizuar ndaj Vuçiç, gjë kjo që konfirmohet dhe nga ministri i Brendshëm i Serbisë. Por, gjithsesi, ndaj 3 të arrestuarve pritet të ngrihet akuza e cënimit të sigurisë, vepër penale kjo që në Serbi dënohet nga 1 deri në 8 vite burg.

Exit mobile version