Aksidenti në Shkup, 20 të lënduar
Rreth 20 persona të lënduar në aksidentin që ndodhi në ora 17:00 në autostradën Shkup-Tetovë, janë transportuar deri më tani në spitalin “8 Shtatori” në Shkup.
Patrullat policore kanë bllokuar dhe siguruar perimetrin e aksidentit. Zv. ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu si dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, janë duke shkuar në vendin e ngjarjes, njofton AlsatM.
Kalimtarët e rastit dhe qytetarët të cilët gjenden në vendngjarje janë mbledhur grup dhe po mundohen që të rrokullisin autobusin, për të mundësuar tërheqjen e udhëtarëve që kanë ngelur brenda autobusit.
Po ashtu, mjete të rënda janë sjellur në vendngjarje për të mundësuar që të lëvizin autobusin. Autobusi është rrokullisur në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë, pas pikë pagesës së parë.
Ekipet e ndihmës së shpejtë kanë shkuar në vendngjarje nga ku po ndihmohen nga kalimtarët e rastit dhe banorët për rreth, për të nxjerrë nga autobusi udhëtarët të cilët kanë ngelur brenda, dyshohet edhe për të vdekur.
Sipas dëshmitarëve thuhet se shkak i aksidentit ishte plasja e gomës, me çrast autobusi ka përfunduar në korsinë e kundërt të autostradës.