Një aksident tragjik i ndodhur mëngjesin e sotëm u ka marrë jetën katër të rinjve.
Ngjarja ka ndodhur në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të Sukthit, rreth orës 04.15, ku një makinë e cila mendohet se ecte me sens të kundërt drejtimi, është përplasur me një automjet në të cilin ndodheshin tre vajza, raporton noa.al.
Që të katërt personat që udhëtonin në mjete kanë gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të përplasjes së furishme, ndërsa është dashur ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse për nxjerrjen e trupave nga makinat.
Duke dhënë detaje mbi ngjarjen policia thotë se mjeti tip Benz me targa AA 979 GV, me drejtues Dashnor Deliallisin, 36 vjeç, banues në Durrës është përplasur me mjetin tip Benz me targa AA 694 IL, në pronësi të shtetases G.Sh., 23 vjeçe, banuese në Sarandë.
Për pasojë kanë ndërruar jetë të dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjere të seksit femër në mjetin me targa AA 694 IL.
Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesja e mjetit me targa AA 694 IL ka qenë shtetësia G.Sh., dhe njëra nga pasagjeret shtetësia I.B. 33 vjeçe, banuese në Tiranë.
Tre viktimat e seksit femër kanë qenë në të njëjtin mjet.
Policia ndodhet në vendngjarje, të cilët po vijojnë punën për identifikimin e viktimave dhe po kryejnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se përplasja ka qenë ballë për ballë ku për shkak të shpejtësisë me të cilin udhëtonin mjetet, bilanci i aksidentit ka rezultuar tragjik.
Si pasojë e aksidentit të rëndë është devijuar qarkullimi i mjeteve. Forca policie në vendngjarje kanë nisur hetimet për identifikimin e viktimave dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.