Aksident hekurudhor në Indi, të paktën 90 të vdekur

Si pasojë e daljes nga shinat të një treni pasagjerësh në rajonin e veriut të Indisë, Uttar Pradesh, të paktën 90 persona kanë humbur jetën dhe mbi 150 të tjerë kanë mbetur të plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. 14 vagonët e një treni pasagjerësh që udhëtonte nga Patna drejt Indore-s kanë dalë nga shinat. Ndërkohë shkaku i këtij aksidenti ende nuk dihet.

Drejtori i Policisë, Daljeet Chaudhary, ka thënë se ende ka pasagjerë në vagonët e përmbysur dhe se puna për nxjerrjen e tyre është duke vazhduar.

Chaudhary, ka thënë gjithashtu se ekipet e shpëtimit kanë hasur vështirësi në arritjen drejt pjesëve shumë të dëmtuara të trenit. Ai ka thënë se shqetësohet për rritjen e mëtejshme të numrit të viktimave.

Nga ana tjetër pasagjerët që kanë mundur të shpëtojnë të gjallë kanë thënë se treni po ecte me një shpejtësi normale, ndërkohë që ka ndaluar papritmas dhe vagonët kanë dalë nga shinat duke u përplasur me njëri tjetrin.

Në një deklaratë për mediat, Kryeministri i vendit, Narendra Modi, duke thënë se janë shumë të mërzitur për ngjarjen, ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e viktimave.

India ka rrjetin e katërt hekurudhor më të madhin në botë. Më shumë se 20 milionë njerëz udhëtojnë çdo ditë me këtë lloj transporti në këtë vend.

Në një aksident të ndodhur vitin e shkuar në të njëjtin rajon, 39 persona humbën jetën dhe 150 të tjerë u plagosën.