AKR dhe VV zyrtarizojnë koalicionin në Mitrovicë

Pas një takimi të mbajtur mes kryetarit Agim Bahtiri dhe sekretarit të VV-së, Dardan Molliqaj, AKR dhe Lëvizja Vetëvendosje është marrëveshje për koalicion në Mitrovicë.

Kryetari Agim Bahtiri tha se kjo marrëveshje është bërë pasi që është një ideal që e lidh me VV-në.

“Ai ideal është që të punojmë fortë për këtë vend. Ofertën ia kam bërë Vetëvendosjes, sepse edhe ata janë në atë proces dhe së bashku do të punojmë për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe Mitrovicës për zhvillimin e shtetit”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ndërkaq, sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj, tha se e kanë mirëpritur dhe vlerësuar kërkesën e kryetarit Bahtiri për një bashkëpunim më të avancuar të VV-së në Mitrovicë me qeverinë e tij komunale.

“Siç e dini kjo nuk është asgjë befasi, pasi që ne në vazhdimësi e kemi vleresuar punën e kryetarit Bahtiri, në veçanti qendrimin e tij të palëkundshëm dhe të drejt në interes të qytetarëve të Republikës në përgjithësi dhe të Mitrovicës në veçanti, sa i përket ndryshimit të kufijve të komunave dhe të ngjashme. E kemi vlerësuar qendrimin e tij dhe ende e vlerësojmë, besojmë që është i vetmi person në institucionet e Kosovës që ka një qendrim të drejtë, të dinjitetshëm dhe të drejt. Besojmë që sfidat që po e presin Mitrovicën janë jashtëzakonisht të mëdha dhe besojmë se secili prej nesh që e don Mitrovicën dhe Kosovën, duhet të jetë pranë atyre personave, atyre subjekteve dhe atyre institucioneve që punojnë për interesin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka bërë të ditur se për shkak të procedurave të brendshme që i ka VV-ja, marrëveshja do të nënshkruhet gjatë këtij muaji, ndërsa kanë thënë se pozitat në drejtorate nuk janë me rëndësi, por me rëndësi është interesi i qytetarëve.

“Ky është koalicioni i parë që bënë Vetëvendosje për qeverisje, aty ku nuk qeverisim dhe ky koalicion edhe për nga mënyra se si e bëjmë, që është në Mitrovicë dhe me një kryetar për të cilin kemi vlerësim për punën që e ka bërë deri më tani. Ne jemi në fazën kur Kryesia Qendrore dhe qendra e VV-së në Mitrovicë kanë krijuar grupet punuese dhe jemi të bindur se krejt procesi do të përfundoj para vitit të ri, ku do të kemi një bashkim të fuqishëm të forcave, krejt kundër atyre që e dëmtojnë interesin e qytetarëve të Mitrovicës dhe Kosovës”, ka theksuar Molliqaj, raporton Veriu.info.

Veriu.info mëson se sipas kësaj marrëveshje VV-së do t’i takojnë pozita e nënkryetarit dhe dy drejtori, përkatësisht Drejtoria e Arsimit dhe Drejtoria e Shëndetësisë.

Ndryshe, kjo marrëveshje është arritur pas prishjes së koalicionit mes AKR-së dhe LDK-së, për shkak se kryetari Bahtiri kishte shkarkuar drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, pas shkrimit të portalit Veriu.info se ai duke shfrytëzuar pozitën e drejtorit kishte favorizuar gruan e tij me rastin e plotësimit të normës së punës.