AKI: Siguria në nivel, s’ka arsye për t’u bërë merak

Ka përfunduar raportimi i Shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së.

Anëtarë të këtij Komisioni kanë thënë pas mbledhjes, se ky takim ishte më shumë njoftues mes anëtarëve të rinj të Komisionit me drejtorin e AKI-së.

Nënkryetarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu, pas mbledhjes që e drejtoi në mungesë të kryesueses Kadaj-Bujupi, tha se në këtë takim me Gashin, deputetet u njoftuan me të, pasi që ky ishte takimi i parë që ky komision mban me shefin e AKI-së , Driton Gashin.

“Tashmë kemi filluar një funksionim normal. Ky ishte takimi i parë me drejtorin e AKI-së. E gjithë përbërja e Komisionit jemi për herë të parë, prandaj sot takimi ka qenë më shumë njoftues. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit, nuk ka pasur raportim konkret, herëve të ardhshme do të ftojmë edhe inspektorin për raportime”, ka thënë ajo.

Duke folur për nivelin e sigurisë në vend ajo ka thënë se niveli I sigurisë në Kosovë është normal dhe ska asgjë për tu bërë merak.

“Ajo çka mund të them për qytetarët është që siguria e vendit është në gjendje normale nuk ka asgjë për t’u bërë ‘merak’”, ka thënë Musliu.