Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar deklaroi se retorika separatiste në Bosnjë-Hercegovinë nuk i ndihmon askujt dhe se ata e shohin popullin e këtij vendi si një tërësi.
“Ne u bëjmë thirrje palëve përkatëse që të mendojnë sa më me arsye, në mënyrë racionale dhe të veprojnë me kujdes”, tha ai.
Akar ishte për një vizitë zyrtare në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, ku u takua me ministrin e Mbrojtjes të Bosnjë-Hercegovinës, Safet Podzic (Poxhiq).
Të dy ministrat pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Duke theksuar se Turqia i kushton rëndësi të madhe stabilitetit dhe integritetit të Bosnjë-Hercegovinës, Akar theksoi se ata mbështesin marrëdhëniet e Bosnjë-Hercegovinës me institucionet euroatlantike dhe NATO-n dhe integrimin e saj.
“Ne konsiderojmë se retorika separatiste në Bosnjë-Hercegovinë nuk po i ndihmon askujt. Ne e shohim popullin e Bosnjë-Hercegovinës si një tërësi. Jemi duke e monitoruar nga afër situatën. U bëjmë thirrje palëve përkatëse të mendojnë sa më me arsye, në mënyrë racionale dhe të veprojnë me kujdes sa të jetë e mundur”, tha ai.
Akar tha se Turqia është e gatshme të bëjë pjesën e saj në të gjitha çështjet, përfshirë ndërmjetësimin, kur t’i kërkohet.
Ai do të pranojë në takim gjithashtu shefin e shtabit gjenerallejtnant Senad Masoviq.
Më pas Akar do të kalojë në Kosovë, ku do të pritet në një ceremoni ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ministri Akar, i cili do të takohet me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, do të pritet në takim edhe nga Presidentja Vjosa Osmani.
Ministri më pas do të takohet edhe me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me stafin e Delegacionit Përfaqësues të Turqisë në kuadër të trupave paqeruajtëse në Kosovë. /trt