Akademia dhe Samiu

Prof. Fitim Veliu

Sami Frashëri është shkrimtari, ideologu, gjuhëtari dhe enciklopedisti i kulturës shqiptare dhe asaj turke. Pra, personaliteti i tij kulturor e dituror lidhet si nyje e pashmangshme me letërsinë e tij amë, atë shqipe, pra të origjinës dhe letërsinë turke/perandorake. Dija e Sami Frashërit, si shkrim, lidhet me rininë si kërkim letrar, kurse më vonë e përgjithmonë në fushën e studimeve. Kritika letrare shqiptare këtë autor e ka vlerësuar e analizuar në tërë përbërësit e veprës së tij shkencore, letrare, gjuhësore, historike e enciklopedike, mirëpo kësaj radhe ne do të merremi vetëm me kritikët letrarë shqiptarë, të cilët thanë shumë për këtë autor, kurse ndër me të veҫuarit e të dalluarit janë Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti dhe Kujtim Shala.

Fitim VELIU, Prishtinë

Kritiku letrar, Kujtim Shala, në veprën e tij Epistemologjia e dytë, e kërkon llojin e shkrimtarit e ideologut shqiptar, i cili i provon dy kulturat si raport letërsie, gjuhësie dhe ideologjie, duke përcaktuar tre përbërësit kërkimor: (Letërsi, identitet dhe ideologji). Përcaktimi kërkimor i Shalës për Sami Frashërin në këta tre përbërës shënjon kërkimin e njeriut si vlerë e përbashkët kulturore dhe ideore.

Sami Frashëri – autor yni, sipas Shalës “nënvizon e provon, në veçanti, Frashërin si ideolog nacional, si një projektues të idesë nacionale në formë traktati, si normë të shkruar, kur i kemi parasysh punët e mëdha të Sami Frashërit në fushën e dijes e të kulturës osmane/turke. Ndaj, formulimi Sami Frashëri – autor yni vetiu merr parashysh Sami Frashërin autor të atyre, apo autor të përbashkët.”Sipas kritikut letrar, Kujtim Shalës, Sami Frashëri – autor yni e “provon të përbashkëtën që ndahet, skajet e jetës e të kulturës që bëhen qendër, por edhe autorin që kthehet nga vetja, nga kultura e parë e vendit.”

Rrëfimi për dashurinë

Dashuria e Talatit me Fitneten ka për temë dashurinë, si esencë, por edhe si pengesë që zhvillohet sipas konditave e normave të rënda sociale e familjare. Sipas Shalës, ky roman nga dëshmia e ndodhia jep edhe titullin Libri i fatkeqësisë. Ky përcaktim buron edhe nga copëzat e leximit, rrëfimit, por edhe të fragmenteve të shënimit, ndaj përcaktimi i titullit si paratekst, buron edhe nga konteksti i ndodhive e dëshmive.

“Tematikisht, ky roman është rrëfim për dashurinë si esencë universale, e cila provohet në një situatë konkrete e që i jep shenjat e kontekstit social të ndodhisë. Fitnetja e do Talatin dhe kjo është sjellje universale; njerku që kjo e mendon si baba, e jep për një me të vjetër, që del të jetë babai i vërtetë i Fitnetes dhe kjo është sjellje kontekstuale, që zbulon premisa sociale e kulturore, mënyrë sjelljeje, një kanun që fiton edhe kur rrënon jetët.”

Shala këtë roman e sheh si tekst klasik, me personazhe që përfaqësojnë rrafshin tematik, që do të thotë se këtë roman e bën vepër të mbyllur klasike, të lexueshme, sipas Rolan Bartesit.

Drama Besa

Këtë dramë Samiu e shkroi më 1874, mirëpo botimi i saj ndodhi një vit më vonë. Kjo dramë ka temë shqiptare, edhe si ambient, por edhe si identitet personazhesh, por edhe si shenja etike e etnike shqiptare. Këtë dramë, kritiku letrar Shala e sheh si dramatizim të jetës shqiptare në cep të Perandorisë Osmane, pra duke provuar shenjat e jetës shqiptare në relacion me të tjerët. Në këtë dramë fjala lidhet me veprimin dhe kjo paraqet diskursin e rrezikshëm, sidomos kur besa në dramë buron nga beja e bërë mbi Librin (enamë).

“Nder e besë lidhen fort, meqë besa, fjala e dhënë dhe e mbajtur, është shenjë nderi autentik, ndërsa nderi shenjë e jetës autentike. Këtë jetë shqiptare, Sami Frashëri e kryqëzon me jetën në perandori, kur besën, nga një kod vendi, e bën edhe kod të lidhur me religjionin, meqë personazhi i tij, Fetahu, lidh besën mbi Kuranin, pra ai jep besën duke bërë benë. Besa e dhënë duhet të mbahet përtej ҫdo emocioni e situate, dhimbje e fatkeqësie, një formulë kjo shqiptare, përtej një kohe e konteksti.” (K. Shala).

Shqipëria në tri pamje (ideologjia nacionale)

Kjo është vepra kryesore e Rilindjes Shqiptare, në të cilën janë dhënë e thënë idetë e Sami Frashërit për shqiptarët e Shqipërinë, identitetin, kulturën e historinë, mitin e teorinë, burimësinë e shqiptarësinë. Sipas Shalës “Kjo vepër e zbulon Sami Frashërin dijetar në fushë të jetës nacionale, njeri që projekton e përshkruan veprimet politike nacionale, sistematizues të ideve për pavarësi të shqiptarëve. Është vepra e ideve nacionale të Sami Frashërit, e gjuhës shqipe të tij.”

Sipas Shalës, Samiu u flet shqiptarëve si rezon, arsye për të ekzistuar shqiptarësia e Shqipëria, nëpërmjet bashkimit, besës, mësimit, edukimit, duke ngjallur vetëdijen e krenarinë, sepse shpëtimi ose humbja e Shqipërisë është në dorë të vetë shqiptarëve.

Vepra e Sami Frashërit, sipas Shalës “jep të gjitha shenjat me u kujtue, përballë paradokseve të mëdha kulturore e nacionale, për të rënë te mësimi universal: Për identitet përherë duhet me u kujtue. Pastaj vijnë ideologjitë e veprimi”.

Akademik Sabri Hamiti (Sami Frashëri dhe alteriteti kulturor)

Një ndër njohësit me të mirë të teorisë, poetikës e kritikës letrare shqiptare, Sabri Hamiti, kur shkruan për Samiun dhe letërsinë e tij, ai e përcakton krijimtarinë e tij si aleteritet kulturor, një sintagmë të rrallë që marrin shkrimtarët e mëdhenj kur bëhen shenjë vlerësimi në diskursin e tyre shkrimor e kulturor.

Duke analizuar romanin dhe dramën e Samisë, Hamiti e sheh romanin me mungesë të receptimit kritik, kurse dramën me një receptim të madh të analizës e vlerësimit. Samiu shkroi dramë e roman, format me të vështira e me të arrira artistike. Se cila është vlera e romanit të Sami Frashërit në letërsinë shqiptare dhe ndikimi që pati ky roman me botimin në shqip, Hamiti thekson: “Po të ishte shkruar në shqip do të kishte vlerë tjetër. Në kohën kur u shkrua, në shqip nuk ekzistonte proza artistike, e jo se jo romani. Ky roman hyn vonë në shqip, një shekull nga shfaqja e parë në turqisht”. Ky roman prodhon tragjikën, si thyerje e shpirtit dhe sprovën e madhe “morale e psikologjike të Ali Beut, si veprim por edhe si motivim i veprimeve të tij”.

Drama e Sami Frashërit Besa trajton “ngjarjet që zhvillohen në një ambient malor shqiptar. Personazhet janë shqiptarë, kurse drama ka si synim të tregojë esencat e jetës, të moralit e karakterit të shqiptarëve”. Të gjitha këto sintagma janë pjesë e parathënies së dramës së Samisë, gjë që tregojnë nyjen e lidhjes dhe zgjidhjes së enigmës ideore në formë shkrimore.

Hamiti e sheh dramën e Samiut si ballafaqim të konvencave të forta përballë emocionit e pasionit. “Beja e Besa e mundin dhembshurinë. Pasioni përpara konvencës. Besa është kontratë morale e fjalës me veprimin, prandaj paraqet diskursin e rrezikshëm, sepse përmban motivimin kratilian dhe marrëveshjen sosyriane. Një vetërespekt i individit deri në fatalitet.” Ndaj, drama e Sami Frashërit është unikale në letërsinë shqiptare, që kalon diskursin artistik e trillimin fantastik, pra ikën në kufijtë e të pabesueshmes si indicie, kur individi jep fjalën nëpërmjet besë si shpresë. Fjala e dhënë dhe beja e bërë e lidhin personazhin së pari në rrafshin zakonor, përmes kontratës me kodin hyjnor (Zotin).

Rugova, teoria dhe Samiu

Teoricieni dhe mendimtari shqiptar, Ibrahim Rugova, në veprën e tij Kahe dhe premisa të Kritikës letrare shqiptare (1504 – 1983), shpërfaq idetë e kontekstit sociokulturor në kuadër të asaj që quhej Kritika e Rilindjes Kombëtare, ku sforcohej interkomunikimi mes dijetarëve shqiptarë dhe qendrave të ndryshme të kolonive jashtë shtetit amë. Rugova, si kritik e teoricien letrar, ideologjinë e rilindasve e shihte si “platformë për konstituimin kombëtar, çlirimin dhe forcimin e unitetit shqiptar” dhe kjo ideologji merr trajtë, formë e shpirt real me veprën e Sami Frashërit Shqipëria…(1899). Sipas Rugovës, Sami Frashëri, në veprën e tij “Fjalori enciklopedik”, për herë të parë i kishte përmendur autorët e traditës letrare shqiptare: Budin, Bogdanin, Nezimin e Hasanin, për të cilët thoshte se “veprat e tyre janë themel i letërsisë shqiptare.”

Semiotika diskursive

Vepra letrare e Sami Frashërit sot njeh një lexim e receptim të madh në letërsinë shqiptare, madje nga kritikët dhe teoricienët me të mëdhenj që njeh bota e letrave shqipe. Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti e Kujtim Shala janë individualitete të mëdha të letërsisë shqiptare. Këta kritikë e teoricienë veprën dhe personalitetin e Samiut tashmë e kanë amëz të analizës së kërkimeve të tyre letrare, ndaj lexuesi shqiptar tashmë i ka referencat për të parë e lexuar diçka të pahetuar më parë. Me secilën nga veprat e tij, Samiu bëhet shkrimtar i referencave diskursive – me romanin e tij, kur letërsia shqipe nuk kishte prozë të shkruar, sidomos atë të nderliqshmen (dramën e romanin), kurse me veprën ideologjike, traktatin Shqipëria në tri pamje, Samiu krijon amzën nacionale shqiptare, si shenjë themelore e kulturore për krijimin e identitetit politik, kulturor, letrar e etnik shqiptar. /revistashenja