Ajo çka pritet është më e madhe

Hoxhë Justinian Topulli

Nuk ka Profet që t’i ketë paralajmëruar besimtarët për rreziqet dhe sprovat që do të vijnë, ashtu siç ka bërë Profeti ynë.
Ai ka folur për mohuesit e haditheve të tij (Tirmidhi 2664), para se ata të dilnin në skenë.
Ka paralajmëruar për largimin e dijes së fesë, pakësimin e punëve të mira, shtimin e fitneve dhe vrasjeve (Buhariu 6037).
Ka paralajmëruar për pakësimin e dijetarëve të fesë dhe shtimin e injorantëve dhe njerëzve që i ndjekin ata në humbje (Buhariu 1036).
Ka paralajmëruar për fitne që do të jenë si errësira e natës, nga të cilat njerëzit kthehen në jobesimtarë, për hir të kësaj bote (Muslimi 118). Dhe nga Islami të nxjerrin edhe qëndrime e fjalë të cilat dikush i mohon se janë kufr, ndërkohë që pretendon se janë mendime të “lira”.
Ka paralajmëruar se në fundin e kohës do të dëgjojmë njerëz të thonë gjëra që nuk i kemi dëgjuar as ne as të parët tanë (Muslimi 6).
Ka paralajmëruar se të parët e këtij ymeti janë më të mbrojturit nga sprovat ndërsa të fundit do të sprovohen me belara të mëdha dhe gjëra të papranueshme, aq sa sprovat që do të vijnë do të jenë gjithmonë e më rënda sesa ato që kalojnë (Muslimi 1844).
Ka paralajmëruar se në mesin e muslimanëve do të ketë të atillë që do t’i kthehen adhurimit të idhujve, e se në mes tyre do të dalin njerëz që pretendojnë të jenë profetë (Tirmidhi 2219).
Ka paralajmëruar për shumë gjëra që do të ndodhin, dhe së fundi ka paralajmëruar edhe për fitnen më të madhe që nga krijimi i Ademit e deri në Kiamet, që është dalja e Dexhalit (Muslimi 2946), e mashtruesit që do të pretendojë në mënyrë të përshkallëzuar se është besimtar, pastaj profet e në fund vetë Zoti (Ebu Nuajm 4050, Buhariu 3057).
E gjitha kjo do të thotë se sprovat dhe belatë që do na vijnë nga njerëz që janë brenda nesh, pa llogaritur ata jashtë, do të jenë të mëdha dhe të rënda. Por në gjithë këtë zallamahi e katrahurë, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, dhe gjithsecilit i pëlqen mendja e vetë shpëtimi dhe mbrojtja qëndron tek kapja fort pas Sunetit të Profetit dhe Sahabëve të tij (Tirmidhi 2676).
Ndaj dhe jo më kot dijetarët kanë thënë se njerëzit më të lumtur dhe më të shpëtuar në ymetin islam janë pikërisht ndjekësit e Hadithit, pikërisht ata që janë shumica e këtij ymeti dhe që njihen si Ehli Suneh uel Xhemah, shkurt muslimanë suni.

Hoxhë Justinian Topulli