Grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International ka deklaruar se masa shtesë e urdhëruar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërteton “dështimin” e Izraelit për të përmbushur masat e mëparshme ligjërisht të detyrueshme të nxjerra nga gjykata.
Duke cituar njoftimin e fundit të gjykatës së OKB-së, që urdhëron masa shtesë të përkohshme, përfshirë “sigurimin e papenguar” të ndihmës për Gazën, Amnesty International kujtoi se kjo erdhi vetëm pak ditë pasi Izraeli vendosi të bllokojë agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
“Ky vendim i ri duhet të shërbejë si një kujtesë kritike për të gjitha shtetet për detyrën e tyre të qartë për të parandaluar gjenocidin, i cili u kërkon atyre të sigurojnë që të gjitha masat e përkohshme të gjykatës të zbatohen siç duhet”, shkroi Amnesty International në platformën sociale X.
Grupi i të drejtave theksoi se shtetet duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të parandaluar gjenocidin dhe të përdorin çdo kapacitet që kanë për të ndikuar në veprimet e Izraelit, si dhe për të ndaluar sulmin në Gaza.
“Një armëpushim i menjëhershëm mbetet mjeti më efektiv për të lehtësuar vuajtjet në Gaza dhe për të siguruar zbatimin e masave të gjykatës”, thuhet në reagimin e grupit.
Duke theksuar se, megjithëse gjykata nuk urdhëroi në mënyrë eksplicite një armëpushim, Amnesty International tha se disa gjyqtarë të gjykatës treguan se pezullimi i operacioneve ushtarake të Izraelit është i nevojshëm për t’i dhënë efekt të plotë urdhrit për masat e përkohshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Dje, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin e vazhdueshëm të gjenocidit kundër Izraelit me kërkesë të Afrikës së Jugut paraqiti masa shtesë të përkohshme, duke përfshirë “sigurimin e papenguar” të ndihmës për Gazën.
“Kushtet katastrofike të jetesës së palestinezëve në Rripin e Gazës janë përkeqësuar më tej”, tha urdhëresa e Gjykatës, duke iu referuar ndryshimit të situatës që nga vendimi i përkohshëm i saj më 26 janar.
Në fund të vitit 2023, Afrika e Jugut ngriti një rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Izraelin për dështimin në respektimin e angazhimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.
Afrika e Jugut i kërkoi gjykatës të vendos mbi masat e përkohshme, duke përfshirë që Izraeli të ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake në Gaza, të marrë masa të arsyeshme për të parandaluar gjenocidin e palestinezëve, si dhe të sigurojë që njerëzit e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të kenë qasje në ndihmën humanitare.
Më 6 mars, Afrika e Jugut kërkoi masa shtesë të përkohshme bazuar në ndryshimin e situatës.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 izraelitë.
Të paktën 32.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 75 mijë të tjerë janë plagosur mes shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.