Ahmeti: Terreni në Siri po ua imponon Rusisë e Iranit të sakrifikojnë Asadin

Amir Ahmeti

Ish-ambasador i Kosovës në Katar, Amir Ahmeti, ka thënë se luftimet në Siri janë duke imponuar që Rusia dhe Irani, si aleate të presidentit Bashar al-Assadit, ta sakrifikojnë për shkak se forcat rebele janë duke fituar terren kundrejt Qeverisë. 

Siç ka thënë ai, me përkrahjen e Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sunitët, Rusia dhe Irani janë të detyruara të kthehen në tavolinën e diskutimeve dhe të pranojnë zbatimin e Marrëveshjes së Astanës së 2017-s. Kjo marrëveshje ishte arritur nga ministrat e Jashtëm të Iranit, Turqisë dhe Rusisë. Kjo marrëveshje parashihte depërshkallëzim të situatës, kthim të refugjatëve nëpër shtëpi dhe krijimin e një ambienti të favorshëm për zgjedhje të lira. Megjithatë, sipas Ahmetit, Irani dhe Rusia kanë keqshfrytëzuar marrëveshjen dhe kanë dislokuar mijëra ushtarë në Siri si dhe Rusia e ka marrë nën kontroll portin e Latakias.

Javëve të fundit, grupe rebelësh kanë nisur sulmet dhe kanë marrë disa qendra të rëndësishme nën kontroll. Lëvizja e shpejtë e tyre drejt qendrave të mëdha, sipas Ahmetit, ka imponuar që Rusia dhe Irani së shpejti të pranojnë zbatimin e Marrëveshjes së Astanës.

“Dhe besoj që ka ardhur koha e duhur që (Rusia dhe Irani) do të ulen në tryezë dhe terreni po ua imponon ta pranojnë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Siria përbëhet me shumicë nga sunitët dhe, sipas tij, luftërat përreth tyre e kanë krijuar një “fuçi baruti në prag shpërthimi”.

“Përderisa Turqia qëndron fuqishëm duke i përkrahur sunitët në Siri dhe SHBA-ja në anën tjetër, mendoj se si dy aleatë të tillë ndoshta kanë gjetur pajtueshmëri që zbatimi i Marrëveshjes së Astanës duhet të fillojë disi, e ajo nuk fillon pa u treguar në terren që t’u tregohet aleatëve të Assadit se ne kemi forcë dhe duhet ta pranoni marrëveshjen në tavolinë”, ka deklaruar ai.

Ahmeti në Interaktiv ka thënë se Turqia dhe SHBA-ja janë të pranishme dhe veçse e kanë dëshmuar fuqinë e tyre në rajon.

Ai ka shprehur bindjen se në negociim s’do të kërkohet më shumë se veç zbatim i marrëveshjes aktuale. 

“Rusia s’do të rrezikojë më tepër ta mbajë Asadin. Ky marshim kaq i shpejtë do të bëjë që për t’i mbajtur interesat ruse dhe iraniane, ata do ta sakrifikojnë Asadin e do të gjejnë një alternativë. Për ta mbajtur portin Rusia do të pranojë çfarëdo marrëveshje”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka deklaruar se me ardhjen e Donald Trumpit president të SHBA-së nga janari 2025, do të ketë qasje tjetër në ndalim të luftërave aktuale. Ai ka thënë se nuk pret që Trumpi të lejojë nisjen e ndonjë lufte të re. /ktv