Ahmeti: Mospagesa e parkingut rezulton në bllokim të veturës dhe dënim 25 euro

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dhënë disa detaje përkitazi me parkingjet publike në kryeqytet.

Përmes një statusi në Facebook, Ahmeti ka bërë të ditur se këtë javë përfundojnë trajnimet e 20 kontrollorëve të parë të Prishtina Parking, ndërsa ka pohuar se çdo parking publik do të jetë me pagesë.

Ndërsa për ata që nuk paguajnë ka paralajmëruar bllokim ë veturës dhe dënim 25 euro.

Ky është statusi i tij i plotë:

Këtë javë përfundojnë trajnimet e 20 kontrollorëve të parë të Prishtina Parking!

Javën tjetër fillojmë me dy rrugë për tu zgjeruar pastaj në krejt qytetin.  Rrugët e para janë Fehmi Agani (kafet e vogla) dhe rreth Rexhep Lucit.

Mos harroni, çdo parking publik do të jetë me pagesë.  Mundësia është të paguhet me aplikacion, sms (edhe Vala edhe Ipko), biletë, dhe pajisje. Ata që nuk janë rezidentë e kanë 2h maksimumin dhe paguhet për minutë.  Pra 7 minuta me nejt paguhen 7 minuta. Rezidentët kanë përparësi dhe mund të qëndrojnë 24h dhe lund tl kenë pagesë mujore.  Vetura e parë për familje është lirë e pastaj për çdo veturë tjetër shtrenjtohet.

Mospagesa rezulton në bllokim të veturës dhe dënim 25 euro.  Marrjabme marimangë është kosto shtesë.  Do të lirohen shumë vendparkingje.  Përmes aplikacionit mund ta dini në çdo kohë ku ka parkingje të lira.