Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar në Facebook se niveli qëndror ka vendosur mbylljen njëjavore të kryeqytetit për shkak të shifrave të infektimit me Covid-19.
Kreu i Prishtinës s’është pajtuar me këtë vendim, duke thënë se matjet e rasteve pozitive duhet të llogariten me numrin e testeve që bëhen nëpër komuna.
“Niveli qendror ka vendosur Prishtinën në Zonën e kuqe, duke rekomanduar mbylljen njëjavore për komunën tonë. Si arsyetim ka përdorur numrin aktiv të të infektuarve. Duke marrë parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve dhe, po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve.
Por, kjo nuk është marrë parasysh. Po ashtu kemi kërkuar që të jemi më fleksibil edhe me biznese për shkak se në kohën kur nuk ka ndihma apo infuzion të parave në ekonomi nga Qeveria edhe një goditje pak më e gjatë do të jetë fatale për to, por rrjedhimisht edhe për shëndetin të cilin e kemi primar.
Përderisa jemi plotësisht të vetëdijshëm për situaten epidemiologjike në vend dhe kemi zbatuar dhe do të zbatojmë masat e marra nga Qeveria, ndarja e komunave me statistika (të infektuar në 100 mijë banorë) kur as numri i të të infektuarve e as numri i banorëve s’është i saktë jep pasqyrë të padrejtë dhe masa joproporcionale për komunat. Rrjedhimisht kjo nuk mund të adresojë situatën epidemiologjike”,shkruan Ahmeti në njoftim.