AGJËRIMI, I DËMSHËM APO I DOBISHËM PËR ZEMREN?

Agjërim apo dietë e plotë?
Dallimi signifikant në mes të agjërimit të Ramazanit dhe dietës së plotë është ora biologjike, bioritmi i metabolizmit, koha e ushqimit; gjatë Ramazanit, në esencë nuk hahet drekë, në vend të saj ushqimi merret në mëngjesin e hershëm dhe abstenohet deri në mbrëmje.
Abstenimi nga uji dhe ushqimet tjera për 12-14 orë apo më tepër nuk është e dëmshme për shëndetin, në fakt shkakton përqendrimin (koncentrim) e të gjitha lëngjeve brenda trupit, duke pasuar dehidrim (humbje e sasive të ujit) të lehtë. Organizmi i njeriut ka mekanizmin e vet autodidakt të konservimit të ujit; në fakt, ky fenomen i dehidrimit të lehtë dhe ruajtja-konservimi i ujit, është provuar të paktën në jetën e bimëve, se përmirëson ndjeshëm jetëgjatësinë e tyre.
Efekti fiziologjik i agjërimit përfshin;
– zvogëlimin e sasisë së glukozës në gjak,
– zvogëlimin e sasisë së kolesterolit dhe,
– zvogëlimin e presionit sistolik të gjakut, duke ruajtur perfekt sistemin kardiovaskular, si në aspektin kuantitativ (në ritmin dhe rrahjet e zemrës) edhe në aspektin kualitativ, vitalitetin e sajë.
Në fakt, agjërimi i Ramazanit provon të jetë një rekomandim ideal për trajtimin e lehtë dhe të moderuar, deri në stazat serioze, të diabetit jo-insulinë varur, obozitetit, dhe hipertensionit esencial.
Fakte shkencore:
Në vitin 1994 u mbajt Kongresi i parë ndërkombëtar mbi “Shëndetin dhe Ramazanin” në Kazablanka, ku u prezantuan 50 studime relevante shkencore mbi etikën mjekësore të agjërimit. Nga kumtesat shkencore, shkencëtar nga të katër anët e globit erdhën në konkludim se sipas konceptit mjekësorë procesi i agjërimit sjell përmirësim shëndetësor, si dhe në asnjë mënyrë nuk është argumentuar se agjërimi keqëson shëndetin e pacientëve, nëse gjendja e tyre bazike mjekësore është stabile.

Ndërsa në anën tjetër, pacientët që ankohen nga sëmundjet në fazat kronike, si; diabeti i tipit I, sëmundjet koronare arteriale, gurët në veshka etj., verifikuar nga prizmi i drejtë mjekësorë, janë të liruar nga obligimi dhe nuk duhet të lejohen të agjërojnë.
Agjërim të lehtë dhe të shëndetshëm!

Përgatiti: Rrahman FERIZI