Ballina Artikuj Agjërimi në udhëtim

Agjërimi në udhëtim

MILAN ITALY - MAY 15: Two muslim woman walking in the street on May 15 2015

Dr. Prof. Abdul Fettah Idris

Prishja e agjërimit në udhëtim e sipër është një lehtësim, për të cilin të gjithë dijetarët kanë mendim unanim. Sakaq, debatet shfaqen lidhur me faktin nëse është më mirë të agjërosh gjatë udhëtimit, apo ta prishësh. Shumica e dijetarëve mendojnë se është më mirë të agjërohet gjatë udhëtimit, nëse udhëtimi është i lehtë dhe pa vuajtje e vështirësi. Kushdo që i studion hadithet e cekura në këtë aspekt, e kupton se i dërguari i Allahut a.s nuk e lejonte prishjen e agjërimit gjatë udhëtimit, veçse si përjashtim kur agjërimi bëhej tejet i vështirë dhe i papërballueshëm. Prandaj, për një udhëtar të ditëve të sotme, kur dhe vuajtjet dhe vështirësitë e udhëtimit janë minimizuar, wshtw mw mirw të agjërojë dhe mos e prishë.

Thotë prof. Dok. Abdul Fettah Idris, profesor i fikut krahasues në Ez’her:

Dijetarët myslimanë kanë mendim unanim se agjëruesit i lejohet ta prishë agjërimin gjatë Ramazanit, nëse është në udhëtim, në atë distancë ku i lejohet të shkurtojë dhe namazin. Debati mes tyre ka lidhje me faktin nëse është më mirë të agjërohet gjatë udhëtimit, apo të prishet. Leja për prishjen e agjërimit është e kushtëzuar me udhëtimin. Thotë Zoti në Kuran:”nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” (Bekare, 184)

Pra, nëse dikush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim dhe e prish agjërimin, ditët që nuk i ka agjëruar mund ti kompensojë më vonë.

Shumica e sahabëve, brezit të tabi’inëve dhe katër imamët, mendojnë se agjërimi në udhëtim është më i mirë se prishja. Kjo, nëse agjërimi është i mundur dhe nuk shoqërohet me vuajtje dhe vështirësi. Këtë gjykim të tyrin, e kanë mbështetur në disa hadithe:

Tregon Aisheja, Zoti qoftë i kënaqur me të:”Dola me të dërguarin e Zotit a.s për të kryer Umren gjatë Ramazanit. Ai e prishi agjërimin, kurse unë jo, ai e shkurtoi namazin kurse unë jo. E çuditur unë e pyeta:”O i dërguar i Allahut! Unë agjërova kurse ti e prishe, unë i fala namazet e plota kurse ti i shkurtove!” Ai u përgjigj:”Të lumtë o Aishe!”

Pra, Profeti a.s e vlerësoi aktin e Aishes e cila nuk e prishi agjërimin edhe pse ishte në udhëtim, ndërkohë që mund ta kishte prishur. Kjo tregon se agjërimi në udhëtim është më i mirë se prishja.

Transmeton Ebu Seid El-hudrij:”U nisëm drejt Mekes me të dërguarin e Allahut gjatë Ramazanit. Kur mbërritëm në një vend të caktuar, ai na tha:”Ju i jeni afruar armikut tuaj dhe shoh se është më mirë ta prishni agjërimin.” Megjithatë, disa prej nesh e prishën dhe disa të tjera e mbajtën agjërimin. Kur mbërritëm në një vend tjetër, Profeti a.s na tha:”Jemi afruar shumë pranë armiqve tuaj, prandaj më mirë ta prishni agjërimin. Kështu që prisheni!” Në këtë rast, ai ishte më i vendosur dhe të  gjithë ne e prishëm.” Mandej, Ebu Seid thotë:”Herë të tjera ne kemi agjëruar bashkë me Profetin a.s edhe gjatë udhëtimit.”

Transmeton Ebu Darda:”Dolëm me të dërguarin e Allahut a.s në një ditë të nxehti të muajit Ramazan. Aq nxehtë ishte saqë mbulonim kokat me duar. Askush prej nesh nuk agjëronte, përveç të dërguarit të Zotit a.s dhe Abdullah ibnu Revaha.”

Kështu, fakti që Profeti a.s dhe shokët e tij orvateshin që të agjërojnë edhe në udhëtim, tregon se agjërimi në këtë rast është më i mirë se prishja. Ekzistojnë disa hadithe të tjera të cilat tregojnë se Profeti a.s e ka lejuar prishjen e agjërimit gjatë udhëtimit, me qëllim që edhe shokët e tij të ndjekin të njëjtat gjurmë dhe ta lehtësojnë udhëtimin. Aq më tepër që ata nuk vepronin veçse atë që vepronte Profeti a.s.

Transmeton Xhabir ibnu Abdilah se i dërguari i Allahut a.s u nis drejt Mekes në muajin Ramazan, në të njëjtin vit që ishte marrë Meka. Ai e mbajti agjërimin derisa arriti në Kiraul Gamim, po ashtu dhe njerëzit. Atje, ai kërkoi një enë me ujë të cilën e ngriti lart derisa e dalluan të gjithë njerëzit, e mandej piu ujë duke e prishur agjërimin. Pas kësaj ndodhie, dikush i thotë:”O i dërguar i Allahut! Disa njerëz e mbajtën agjërimin dhe nuk e prishën.” Ai i tha:”Ata janë gjynahqarë. Ata janë gjynahqarë.”

Në një transmetim tjetër të Xhabir:”Profetit a.s iu tha:”Njerëzit i ka rënduar shumë agjërimi.” Atëherë ai kërkoi një enë me ujë pas iqindie dhe piu prej saj, ndërkohë që të gjithë e panë. Pas tij, e prishën agjërimin dhe një pjesë e myslimanëve, kurse një pjesë tjetër e mbajtën. Kur Profeti a.s dëgjoi se disa nuk e prishën agjërimin tha:”Ata janë gjynahqarë, ata janë gjynahqarë.”

Në një transmetim të tretë të Ibnu Abasit, ai thotë:”Vitin që morëm Mekën, Profeti a.s u nis për në Mekë gjatë Ramazanit. Kur kaloi pranë një burimi në rrugë në kohën e drekës, të gjithë njerëzit i kishte mbërthyer etja. Ata ia zgjasnin kokat që ti shohë Profeti a.s, i cili kërkoi një enë me ujë. Mandej e ngriti lart enën derisa e panë njerëzit dhe piu prej saj. Edhe njerëzit e tjerë pinë pas tij.”

Të gjithë transmetimet e mësipërme, tregojnë se Profeti a.s dhe shokët e tij e fillonin agjërimin edhe ditën e udhëtimit. Profeti a.s nuk i lejonte ta prishin agjërimin veçse pas iqindie, kur e kuptonte se agjërimi i ka sfilitur dhe rënduar. Vetë myslimanët refuzonin ta prishin agjërimin, derisa ta prishte i dërguari i Zotit a.s më parë. Për këtë, Profeti a.s e ngrite enën me ujë lart që ta dallojnë të gjithë se ai vetë po e prish agjërimin dhe ata të vepronin të njëjtën gjë më pas.

Thotë Ebu Seid El-hudrij:” Profeti a.s u afrua tek një pellg me ujë shiu, ndërkohë që myslimanët udhëtonin në këmbë, agjërueshëm në një ditë të nxehtë vere. Teksa qëndronte mbi mushkë, Profeti a.s u tha:”Pini o njerëz!” Ata refuzuan. Mandej u tha:”Unë nuk jam si juve, pasi jam në kushte më komode. Unë udhëtoj i hipur mbi mushkë.” Megjithatë, njerëzit sërish refuzuan ta prishin agjërimin. Atëherë, Profeti a.s përkuli gjunjët dhe u ul e piu ujë, edhe pse nuk donte ta prishë. Mandej të gjithë njerëzit e pasuan. “

Edhe ky hadith, si hadithet e tjera tregon se Profeti a.s e mbante agjërimin edhe gjatë udhëtimit dhe nuk lejonte të prishej, pasi e konsideronte se agjërimi në udhëtim është më i mirë se prishja. Ai e lejonte prishjen e agjërimit vetëm atëherë kur rëndoheshin myslimanët. Vetë myslimanët nuk pranonin ta prishin agjërimin, pa e prishur vetë i dërguari i Allahut.

Nëse shohim në ditët tona, ku udhëtari nuk ndjen vështirësi sikur ti bjerë tokës rreth e qark, aq sa ndjen dikush që kalon nga një fshat në një tjetër, kuptojmë se për udhëtarin është më mirë të agjërojë sado e gjatë të jetë distanca dhe cilido qoftë mjeti i udhëtimit.

Megjithatë, Zoti e di më mirë.

Burimi: ardhmeriaonline.com

Exit mobile version